
Sot në Sallën e Asamblesë Komunale u mbajt mbledhja komemorative në nderim të jetës dhe veprës së Agim Makës (07.05.1956 – 28.04.2025), e cila u organizua nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Junikut, z. Ruzhdi Shehu i cili në fjalimin e tij përkujtimor, theksoi:
“Agim Maka lindi më 7 maj 1956 në Junik, ku kreu shkollimin fillor dhe të mesëm, për të vazhduar më pas studimet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ku diplomoi në vitin 1982. Pas studimeve, ai kontribuoi si ekonomist dhe kontabilist në Kooperativën Bujqësore të Junikut dhe më vonë si drejtor i Kooperativës ‘Moronica’, ku u dallua për profesionalizëm dhe vizion menaxherial deri në vitin 1998.
Gjatë viteve të ’90-ta, në një kohë të rëndë për popullin tonë, Agimi mori rol të rëndësishëm në organizimin politik lokal si Kryetar i Degës së LDK-së në Junik. Me përkushtim të madh, ai kontribuoi në procesin e pajtimit të gjaqeve dhe në mobilizimin qytetar për unitet kombëtar.
Pas luftës, ai vazhdoi angazhimin publik si Kryeshef Ekzekutiv i Komunës së Deçanit deri në vitin 2004. Më pas, për shumë vite dha një kontribut të çmuar në sektorin bankar, në Bankën NLB, deri në pensionimin e tij të parakohshëm në vitin 2021.
Agim Maka do të mbahet mend si shembull i urtësisë, integritetit dhe përkushtimit të palëkundur për të mirën e përbashkët. Jeta dhe vepra e tij përbëjnë një trashëgimi të çmuar për brezat që vijnë.”
Në këtë organizim të ndjerë morën pjesë përfaqësues të institucioneve, bashkëpunëtorë, miq, familjarë, qytetarë të shumtë si dhe kryetarë komunash nga rajoni. Në mesin e tyre ishte edhe kryetari i Komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj, i cili mbajti një fjalim rasti me vlerësime të larta për jetën dhe kontributin e të ndjerit Agim Maka.
Nipi i të ndjerit, z. Arton Krasniqi, i cili në emër të Lidhjes së Historianëve të Deçanit “Ali Hadri” lexoi telegramin e ngushëllimit për familjen Maka, duke vlerësuar jetën dhe veprën e Agim Makës si një trashëgimi të rëndësishme për historinë dhe shoqërinë tonë.
Në fund, në emër të familjes, të pranishmëve iu drejtua vajza e të ndjerit, znj. Jeta Maka, e cila falënderoi me mirënjohje të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen, përkrahjen dhe respektin e treguar në këto momente të dhimbshme.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Agim Makën!