970×90
970×90
970×90
970×90
970×90

Komuna e Junikut diskriminon lagjen Miroc dhe Krasniq, nuk investon në kanalet e ujitjes

Komuna e Junikut diskriminon lagjen Miroc dhe Krasniq, nuk investon në kanalet e ujitjes

Banorët e lagjes Miroc dhe Krasniq, dy nga zonat periferike të Komunës së Junikut, kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për mungesën e investimeve në infrastrukturën e kanaleve të ujitjes. Shkruan Gazeta Projekti. Këto ankesa vijnë pas viteve të tëra të pritjes për përmirësimin e kushteve, ndërsa pjesë të tjera të komunës kanë përfituar nga investime të dukshme në sektorin e ujitjes.

Dy lagjet janë kryesisht te orientuara drejt bujqësisë, dhe mungesa e sistemeve të kanalizimit për ujitje ka ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së banorëve dhe në kapacitetin e tyre për të kultivuar toka të punueshme.

Ndërkohë që pjesë të tjera të Junikut kanë parë investime në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e kanaleve të ujitjes, banorët e Lagjes Miroci dhe Krasniq ndihen të përjashtuar nga ky proces. 

Sipas tyre, diskriminimi nga ana e komunës është i qartë, duke favorizuar zona të tjera në të njëjtën kohë që dy lagjet po  përballen me infrastrukturë të dobët.

Përveç mungesës së kanaleve të mirëmbajtura, në disa raste, ujitja e tokave bëhet pothuajse e pamundur gjatë muajve të thatë të verës, duke sjellë humbje të mëdha për fermerët lokalë.

Një prej banorëve të Mirocit, Pajazit Miroci,  shprehet: “Ne kemi pritur për vite që komuna të marrë masa për të ndërtuar dhe mirëmbajtur kanalet e ujitjes, por duket se jemi lënë pas dore. Ndërkohë, në lagje të tjera, ka investime të konsiderueshme. Kjo është e padrejtë dhe e dëmshme për ne, janë vite e vite që asnjë investim nuk ka ndodh tek ne”, shprehet ai.

Një tjetër banor nga lagjja Krasniq përmend sfidat që përballen fermerët e lagjes gjatë sezonit të thatë: “Për bujqësinë, ujitja është jetike. Ne kemi bërë disa herë kërkesa në komunë, por deri më tani nuk kemi parë asnjë ndryshim. Kjo situatë po bëhet e papranueshme”.

Duke u bazuar në gjendjen faktike në teren, banorët e lagjes Miroc dhe Krasniq kanë filluar të organizohen për të ndërmarrë hapa konkrete. Ata kanë paralajmëruar një peticion, duke kërkuar më shumë transparencë dhe një angazhim të qartë nga autoritetet lokale për të investuar në përmirësimin e kanaleve të ujitjes. Shkruan Gazeta Projekti.

Nëse kërkesat e tyre nuk marrin përgjigje, banorët kanë kërcënuar se do të përdorin kanale të tjera, përfshirë ankesat në nivel qendror dhe përfshirjen e mediave lokale, për të sjellë më shumë vëmendje ndaj problemit të tyre.

Në fund të fundit, kërkesa e banorëve të Lagjes Miroc dhe Krasniq është e thjeshtë: Barazi në investime dhe përmirësimi i infrastrukturës bazë për të siguruar një jetë më të mirë për komunitetin e tyre. Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse Komuna e Junikut do t’i përgjigjet këtyre thirrjeve dhe do të ndërmarrë veprime konkrete.

Related posts