Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur të enjten në takim përfaqësues të lartë të kompanisë franceze “Orange”, të cilët kanë shprehur interesim për të investuar në Telekomin e Kosovës.
Ai ka thënë se hapja e vendeve të reja të punës dhe zhvillimi ekonomik janë prioritet i Qeverisë së Kosovës.
“Sot kam takuar përfaqësues të lartë nga kompania franceze ‘Orange’, të cilët kanë shprehur interesim për të investuar në Telekomin e Kosovës. Kosova ofron mundësi të shumta përmes Ligjit për Investime Strategjike dhe projektet që e rikthejnë gjendjen normale në Telekomin e Kosovës janë të mirëpritura. Telekomi i Kosovës duhet të kthehet në storie të suksesit dhe ne jemi të përkushtuar për këtë!”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.