
Komisioni Evropian ka bërë të ditur se nuk ka planifikuar asnjë udhërrëfyes të ri për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe se mbetet në qëndrimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet.
Në një përgjigje për gazetën Nacionale, KE ka thënë se Kosova i ka plotësuar kriteret për heqjen e vizave.
“Komisioni vazhdon të qëndrojë prapa vlerësimit të tij të korrikut të vitit 2018 se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, të përcaktuara në Udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave nga viti 2012 në lidhje me ripranimin dhe riintegrimin, sigurinë e dokumenteve, migrimin dhe menaxhimin e kufirit, rendin dhe sigurinë publike dhe të drejtat themelore të lidhura me lirinë e lëvizjes”, thuhet në përgjigje.
“Vendimi për t’i hequr vizat për qytetarët e Kosovës është vendim i vonuar gjatë, që është në pritje në Këshill. Ne e pranojmë faktin se disa shtete anëtare mbajnë shqetësime në pritje për çështjet si lufta kundër korrupsionit, pretendimet e rreme për azil dhe siguria e dokumenteve, të mbuluara nga udhërrëfyesi. Komisioni qëndron i gatshëm për t’i përkrahur punën dhe bashkëpunimin e mëtejmë mes shteteve anëtare dhe autoriteteve të Kosovës për t’i adresuar këto çështje”, kanë thënë nga Komisioni për Nacionalen.
“Nuk po flasim për një udhërrëfyes të ri. Sapo të miratohet liberalizimi i vizave për Kosovën, Komisioni do ta vëzhgojë më tej zbatimin e vazhdueshëm të kërkesave përmes mekanizmit për pezullimin e vizave dhe procesit të Stabilizim-asocimit”,theksohet në përgjigje.
Duke folur të hënën në një debat në Parlamentin Evropian, komisionari për Fqinjësi dhe Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, paralajmëroi se mund të ketë një udhërrëfyes shtesë për Kosovën, për t’i adresuar disa shqetësime të vendeve anëtare rreth liberalizimit të vizave.
“Jemi të gatshëm t’i ndihmojmë Kosovës që së bashku me shtetet anëtare, të vendosim një udhërrëfyes për t’i adresuar shqetësimet specifike. Autoritetet e vendeve anëtare, agjencitë e rendit dhe ligjit, forcat e policisë kanë nevojë të angazhohen në terren për t’i ndihmuar Kosovës. Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm t’i japim Kosovës gjithë ndihmën financiare, teknike dhe politike për këtë proces”, tha Varhelyi.
Kjo deklaratë ka nxitur reagime të shumta në Kosovë. Ish-kryeministri, Avdullah Hoti e ka quajtur të papranueshme këtë propozim.
“Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet që nga marsi i viti 2018 dhe meriton t’i liberalizohen vizat. Për të bindur Francën, në vitin 2020 është ngritur grupi punues i Ministrive të Brendshme respektive për të vënë në dispozicion të insiticioneve fanceze informatat e nevojshme për vendimmarrje pozitive. Ky grup punues është vendosur të formohet në takimin që kemi pasur me Presidentin Macron në korrik 2020, duke ndjekur shembullin e mirë të Qeverisë Haradinaj me Gjermaninë në vitin 2019. Ky grup e ka kryer punën e vetë dhe tani duhet pritur vendimi pozitiv, sepse nuk ka më asnjë kusht që duhet të plotësohet nga Kosova”,ka shkruar Hoti në facebook.
Një reagim të ashpër e pati edhe ish-ministri i jashtëm, Petrit Selimi.
Në llogarinë e tij në “Tëtter”, ai ka shkruar se nëse kjo është e vërtetë, atëherë BE-ja është në prag të adoptimit të politikës së hapur raciste.
“Katër vjet pasi Kosova përmbushi 100% udhërrëfyesin më të gjatë të liberalizimit të vizave Oliver Varhelyi shpall një ‘udhërrëfyes’ të ri për Kosovën për të përmbushur më shumë kushte për ‘korrupsionin’ dhe ‘kontrabandën’. Nëse kjo është e vërtetë, le të mos jetë gabim: BE-ja tani është në prag të adoptimit të politikës së hapur raciste”, ka shkruar Selimi në Tëitter.
“BE-ja nuk e kishte problem të adaptonte liberalizimin e vizave me Meksikën, Hondurasin, apo edhe me Venezuelën e Maduros. Kosova është vendi më pro BE-së në Ballkanin Perëndimor, më pak i korruptuar dhe nuk është lartë e pozicionuar në asnjë listë të azilkërkuesve për vite me radhë”, vazhdoi Selimi fjalën e tij.
Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizim vizash me BE-në.
Vendi, që nga viti 2018, ka marrë rekomandimin për liberalizimin e vizave, pasi Komisioni ka konkluduar se i ka përmbushur të gjitha kriteret.