Anëtari nga Shqipëria i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Boiken Abazi, ka sulmuar përsëri deputetët e partisë, që bëjnë pjesë në të ashtuquajturin Krahu i Molliqajt, i cili kundërshton Albin Kurtin.
Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Abazi i ka quajtur hajna të kulluar politikë Dardan Molliqajn e të tjerët, që kanë hequr dorë nga postet në parti.
Abazi ka sulmuar edhe kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili javën e kaluar njoftoi për largimin e tij nga VV’ja.
“Të gjithë ata që mbajnë padrejtësisht mandatet e fituara nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, aktivistët e së cilës kanë derdhur djersë e kanë sakrifikuar, ndërkohë që Lëvizja ka investuar para për fushatat e tyre, pra të gjithë këta që hoqën dorë nga detyrimet pas zgjedhjeve për të ruajtur vetëm privilegjet, mund të konsiderohen pa asnjë drojë si persona që kanë kryer një hajni të kulluar politike – se ç’kontribut kanë dhënë për shoqërinë përpara se ta kryenin këtë hajni politike nuk ua justifikon hajninë!”, ka shkruar Abazi.
“Të gjithë ata që e quajnë këtë etiketë të tepruar, le të shkojnë e t’ia shpjegojnë aktivistëve dhe votuesëve të Lëvizjes pse u desh të derdhin gjithë atë mund për këtë lloj hajnie politike. Sigurisht që do të mbetem përherë kundër ofendimeve dhe etiketimeve bosh, por do të mbetem edhe më i përkushtuar për t’i vënë sjelljeve të ulta politike emrin e saktë identifikues të tyre!”, është shprehur ai