
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha se ishte “e gabuar dhe e rrezikshme” nga ana e presidentit amerikan Donald Trump që ta quante udhëheqësin ukrainas Volodymyr Zelensky “diktator”.“Është thjesht e gabuar dhe e rrezikshme t’i mohosh Presidentit Zelensky legjitimitetin e tij demokratik”, theksoi Scholz sipas citimeve të gazetës gjermane Spiegel.
Sipas tij, fakti që zgjedhjet e duhura nuk mund të mbahen në mes të luftës “reflektohet në kushtetutën dhe ligjin zgjedhor të Ukrainës”.
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, reagoi gjithashtu ndaj komenteve të fundit të Donald Trump.
Baerbock i tha transmetuesit ZDF: “Nëse shikoni botën reale në vend që thjesht të shkruani një postim në Twitter, atëherë e dini se kush në Evropë duhet të jetojë në kushtet e një diktature: njerëzit në Rusi, njerëzit në Bjellorusi”.
Ministrja gjermane u shpreh se “askush përveç [Vladimir] Putin nuk e filloi ose e donte këtë luftë në zemër të Evropës”, duke shtuar se “ne po punojmë me të gjitha forcat tona për të forcuar më tej Ukrainën”.
“Ne jemi në një pikë të rrugës ekzistenciale për sigurinë dhe paqen në Evropë”, pohoi Baerbock, duke shtuar se qëllimi ishte “arritja e paqes së qëndrueshme për Ukrainën – e sigurt dhe e mbrojtur nga agresioni i ardhshëm rus”.