
Zëdhënësja e BE-së Maja Kocijançiq ka thënë se BE pret nga autoritetet e Kosovës të tërheqin masën e rritjes së taksës nga 10 në 100 për qind për mallrat e importuara nga Serbia.
Ajo u shpreh se BE kërkon që Kosova të tërheq këto masa dhe “të dyja palët” u kërkoi të përmbahen nga provokimet.
Kocijançiq theksoi se mesazhi i Brukselit për tarifat doganore të Kosovës në Kosovë është “i qartë dhe i qëndrueshëm”.
“Reagimi i autoriteteve kosovare në këtë kontekst thjesht nuk është rruga e drejtë. Ka mënyra për të zgjidhur këto çështje dhe këto kanale duhet të përdoren”, tha Kocijanciq para gazetarëve, raportojnë mediat serbe. Kocijançiq theksoi se dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës mund të kontribuojë në mirëqenien e qytetarëve.
“Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve të të dyja palëve që menjëherë të ndalojnë provokimet dhe të përqendrohen në përfundimin e normalizimit të marrëdhënieve”, tha Kocijançiq. Ajo po ashtu bëri thirrje që Sekretariati I CEFTA-së të përkujdeset për respektimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë.