
Ish-kampioni i peshave të rënda në boks, Wladimir Klitschko, i cili tashmë gjendet në vijën e parë të frontit në luftë, ka publikuar një video prekëse nga momentet e luftës.
Në videon e publikuar nga tashmë ushtari ukrainas, shihen fëmijët e frikësuar dhe të terrorizuar nga sulmet e vazhdueshme të ushtrisë ruse në qytetet e Ukrainës.
“Dëgjoni ata! Dëgjoni zërin e këtyre fëmijëve që po frikësohen për jetën e tyre. Shumë të tjerë tashmë kanë humbur jetën. Kjo po ndodh sot”.
“Është realiteti i një lufte të tmerrshme. Veproni tani! Shpëtoni fëmijët! Ndaleni Rusinë, ndaleni luftën e Putinit”, ka shkruar Klitschko në profilin e tij në Twitter.
Kujtojmë që Ukraina deri më tani ka raportuar 352 civilë të vdekur që nga fillimi i pushtimit, duke përfshirë 14 fëmijë.
Wladimir u regjistrua në ushtrinë rezervë të Ukrainës në fillim të muajit shkurt dhe ka bërë lutje publike Rusisë që t’i japë fund luftës.
Ai tani gjendet në vijën e parë të frontit, për të mbrojtur territorin e tij nga agresioni rus që është duke ndodhur në Ukrainë.
Gjithashtu edhe vëllai i tij, Vitali, që njëherësh është edhe kryebashkiak i Kievit, gjithashtu ka marrë armën në dorë, për të dalë në mbrojtje të vendit të tij, Ukrainës.