Fadil Vata u lind me 03.01.1962 në fshatin Lumbardh, ish-Sallagrazhd, në Therandë. Fadili rrjedh nga një familje atdhetare e me kulturë, gjë që ky vetëm sa edhe e vazhdoi për të mos e ndalur më.
Fadil Vata shkollën fillore nga klasa e parë deri te klasa e katërt e ndoqi në vendlindjen e tij, ndërsa nga klasa e pestë deri tek ajo e teta vazhdoi në fshatin Mushtishtë.
Në Gjimnazin “ Jeta e Re”, në Therandë ish Suharekë, vazhdoi shkollimin e mesëm. Rrugëtimin e tij shkollor e vazhdoi edhe me regjistrimin në Universitetin e Prishtinës, pranë Fakultetit Filozofik, drejtimi Filozofi-Socilogji. Edhe pse i ri për nga mosha, Fadili kishte një ngritje të lartë intelektuale, ishte i edukuar e i afërt me të gjithë. Me shoqërinë e tij, ai kishte sjellje shembullore nuk nënçmonte askënd, as përçante, por kërkonte unitet të përbashkët me ideale e sakrifica të përbashkëta, sepse vetëm kështu mundemi që të ngritemi edhe më shumë si popull. Ëndrra që ai kishte ishte një rrugëtim shumë i vështirë, por asnjëherë i pamundur. Liria, ishte pika referuese për të cilën edhe filloi kontaktet e para me rrjetin e organizuar ilegalo-politiko-patriotik në vitet 1978-1979. Ndërsa në vitin 1980 është dërguar me dhunë në shërbimin ushtarak në Pozharevc të Serbisë. Edhe shërbimi ushtarak nuk e pengoi Fadilin që të ndaloj aktivitetin e bindjet e tij për vendin e tij.
Në demonstratat e 11 marsit në Prishtinë Fadil Vata ishte pjesëmarrës si edhe shumë të tjerë. Pas këtyre ngjarjeve në vend, ai vizitoi familjen e tij, në fshatin e lindjes, e për t’u kthyer përsëri në shërbimin ushtarak. Për bindjet e tij, ai me 3 maj të vitit 1981 u burgos në kazermën e Pozharevcit. Më pastaj e dërguan në Beograd, ku aty u dënua me 6 (gjashtë) vite burgim, nga gjyqi ushtarak, ku prapë e kthejnë në Pozharevc.
Gjatë qëndrimit në burg, mbi atdhetarin tonë Fadil Vata u ushtruan tortura të mëdha nga më çnjerëzoret, ku më pas kjo torturë ndikon edhe në përkeqësimin e shëndetit të tij. Në kushte e rrethana si këto, ai për fat të keq fiton edhe sëmundje të rëndë në mushkëri. Në gjendje të jo të mirë Fadili dërgohet në spitalin e burgut të Pozharevcit, por pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të tij, ai dërgohet në spitalin e Beogradit ku edhe operohet. Në këtë spital edhe pse tashmë i operuar e i shtrir mbi shtrat spitalor, maltretimet e torturat vazhdonin pa ndal, të tilla si duke e mbajtur atë të lidhur me zinxhir për shtrati.
Nga veprimtari Vata, shovenistet serbë kishin një frikë të madhe, saqë edhe kur prindërit e tij, babë Nebihu e nënë Tahirja i erdhën për vizitë në spital, Fadilin e mbanin të lidhur me zinxhir. Pas qëndrimit disa mujor në spital të Beogradit, e përmirësimit të gjendjes të tij shëndetësore, Fadili kthehet përsëri në burgun famëkeq të Pozharevcit. Gjatë qëndrimit në burg Fadil Vata ra në kontakt edhe me shumë patriotë e të burgosur politik, ku në mesin e të cilëve ishte edhe Afrim Zhitia.
Më 30 prill të vitit 1987 u lirua nga burgu. Lirimi nga burgu i Fadil Vatës, ishte për Lëvizjen Ilegale Patriotike e Politike në Kosovë, një fitore e madhe si dhe për të gjithë bashkëvendësit e tërë popullin e Kosovës. Me t’u liruar Fadili rrugëtoi në rrugën që kishte nisur qysh si i ri, ai kontaktoi të gjithë shokët dhe miqtë, por edhe ata që po liroheshin e pritëshin të lirohen nga burgjet serbe, që të vazhdonin ëndrrën e idealin e tyre brez pas brezi. Nga të gjithë këta shokë e miq, njëri ndër më të afërmit e tij ishte Heroi i Kombit Afrim Zhitia. Në vitin 1989 Lëvizja Politike Ilegale në Kosovë në Komitetin e saj drejtues vendosin që dy patriotët e dy atdhedashësit t’i vendosin me funksione në të.
Dy kolosët e popullit u vendosën për pozitat sekretar politik Fadil Vata, e sekretar organizativ Afrim Zhitia të Lëvizjes Politike e Ilegale. Të dy viganët e kohës nuk u frikësuan nga vdekja e as nga regjimi i kohës, andaj me të drejt ata ishin udhërrëfyes për shokët e tërë popullin.
Fadil Vata nuk u frikësua për vetën, për bindjet e qëndrimet e tij tashmë të njohura, ai as nuk u shantazhua edhe gjatë qëndrimit në burg. Pak para se të lirohej nga burgu, disa gazetarë serbë, në një intervistë pyetën Fadil Vatën. “A jeni penduar dhe a ka ndikuar burgu që të mos vazhdoni veprimtarin tuaj antiserbe”?
“Unë as edhe një herë në jetën time nuk do të tërhiqem nga rruga e lirisë së atdheut tim, pavarësisht qëndrimeve tuaja të egra e shtypëse. Unë nuk do të tërhiqem me as një çmim, as edhe me çmimin e jetës”. Nga sëmundja e rëndë që e mori në burgun famëkeq të Pozharevcit, Fadili u detyrua të kërkonte ndihmë për shërim jashtë vendit, me ç’rast shkoi në Bazel të Zvicrës. Përpos dhimbjeve që kishte nga sëmundja e tij, Fadili kur mori edhe lajmin e keq për dy shokët e tij, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu që ishin vrarë nga regjimi serb, atij i’u përkeqësua gjendja edhe më shumë. Kështu, larg atdheut fizikisht dhe me shumë brenga që nuk mundi t’i vazhdoj idealet e tij të nisura për atdheun, me datë 25 prill të vitit 1990 zemra e tij pushoi së rrahuri në mërgim.
Ai u varros me 9 maj të po atij viti, pra dy javë nga vdekja e tij sepse ish Jugosllavia nuk lejoi ardhjen e kufomës së tij nga Bazeli ku edhe ndërroi jetë. Gjatë ceremonisë së varrimit tek arkivoli i të ndjerit tashmë Fadil Vata, kishin ardhur policë të angazhuar jugosllav për të hapur arkivolin e mbyllur hermetikisht të Fadilit, për të parë e vërtetuar nëse ai tashmë është i vdekur ose jo, sepse kishin frikë se ende mund të jetë i gjallë. Në këtë ceremoni varrimi të Fadilit morën pjesë 100 mijë bashkatdhedashës nga vendi e diaspora.
Nga data 25 prill 2013 Fadil Vata dekretohet HERO I KOMBIT nga presidentja e Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, ku më pastaj zbulohet edhe shtatorja e tij në qytetin e tij të lindjes në Therandë.