Misioni i KFOR-it kanë reaguar pas vrasjes së një pjesëtari të Policisë së Kosovës dhe plagosjes së dy të tjerëve në veri të vendit.
KFOR kanë thënë se po e monitorojnë nga afër situatën në Banjska dhe se trupat e KFOR-it janë prezente në atë pjesë dhe të gatshme të përgjigjen nëse shfaqet nevoja.
Në reagim tutje thuhet se Policia e Kosovës, si përgjegjës i parë, ka përgjegjësinë primare për menaxhimin e incidentit në terren.
KFOR potencon se Komandanti i tyre është në kontakt konstant me të gjithë palët, përfshirë BE-në, komandantin e Forcave serbe, institucionet e Kosovës dhe po punon intensivisht për të gjetur një zgjidhje.
“Komandanti i KFOR-it është në kontakt të ngushtë dhe të vazhdueshëm me të gjitha palët e interesuara ndërkombëtare, përfshirë BE-në, Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë dhe me institucionet në Kosovë, dhe po punon intensivisht për të gjetur një zgjidhje. Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO dënon ashpër sulmin kundër Policisë së Kosovës dhe dërgon ngushëllimet më të thella për familjen dhe të dashurit e të ndjerit”, thuhet në reagim.
Pak minuta më parë, Policia e Kosovës ka konfirmuar se në veri të vendit, konkretisht në Banjska të Zveçanit ku të shtënat po vazhdojnë është vrarë një nga sulmuesit serbë.
Policia potencon se situata në veri të vendit vazhdon të jetë e tensionuar, teksa u ka bërë thirrje sulmuesve serbë që të dorëzohen.