
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, me anë të një postimi në Facebook ka përmendur sukseset dhe sfidat me të cilat është përballur gjatë qeverisjes së tij.
Haradinaj përmes Facebook ka theksuar se veprime të suksesshme i cilëson themelimin e ushtrisë së Kosovës, pavarësinë energjetike dhe Trepçen, investitorin SOWI dhe Parku ITP, shtrirjen e ligjit dhe rendit në Veri si dhe transparencën për qasje në dokumente publike.
“Unë poashtu isha i sfiduar me ftesën e papritur në moment kritik. Dorëheqja ime testoi Kosovën për të dëshmuar se demokracia jonë është stabile dhe se në kohë krizash vendimmarrja i kthehet sovranit”, ka shtuar ai.
Ndërkohë ai ka përmendur ndër sfidat e tij edhe liberalizmin e vizave, rikthimin e dialogut në binarë, mbajtjen e taksës 100% e disa të tjera.
Ky është postimi i plotë i tij:
Në pritjen e fundvitit të organizuar nga Zyra e Kryeministrit përmbyllëm një vit me suksese, sfida, e dhimbje.
Unë poashtu isha i sfiduar me ftesën e papritur në moment kritik. Dorëheqja ime testoi Kosovën për të dëshmuar se demokracia jonë është stabile dhe se në kohë krizash vendimmarrja i kthehet sovranit.
➢ Sukseset:
- Ushtria e Kosovës po konsolidohet në ushtri inteligjente me standarde të NATOs;
- Kosova ka arritë pavarësinë energjetike dhe Trepça është gati për investime;
- Investitori i parë strategjik SOWI + Parku ITP – me Gjermaninë;
- Shtrirja e sundimit të rendit dhe ligjit edhe në Veri të vendit;
- Transparencë e plotë në qëndrime politike, vendime dhe qasje në dokumente zyrtare – tani më është bërë ndryshimi duke instaluar kulturën qeverisëse me llogaridhënie të plotë.
➢ Sfidat
- Injorimi i arritjeve të Kosovës drejt liberalizimit të vizave për arsye politike nga BE;
- Rikthimi i dialogut në binarë – dialog mes shteteve e jo dialog për nënshtrim – Kjo logjikë duhet të vazhdojë deri në njohje reciproke në kufijtë ekzistues pa vonesa e sfida artificiale;
- Mbajtja e taksës 100% e cila nuk e pengon reciprocitetin. Tentimet për Minishengen dhe reciprocitet bëhen për të hequr taksën dhe nënshtruar Kosovën. Orientimi i Kosovës është drejt BE-së e jo drejt izolimit rajonal. Drejt NATO-s e jo Rusisë.
- Keqpërdorimi i ndjenjave fetare për përfitime gjeopolitike është i rrezikshëm dhe ne duhet të jemi bashkë në luftimin e kësaj.
➢ Dhimbje:
- Tërmeti në Shqipëri na goditi të gjithëve pa dallim.
- Sulmet terroriste anembanë botës e qytetarëve të lirë i përjetuam rëndë. Kosova qëndron fuqishëm përkrah SHBA-ve dhe aleancës globale kundër terrorizmit.
➢ Krenari:
- Sukseset e rinisë së Kosovës në sport e kulturë kanë mahnitur botën.
➢ Mësimet nga ky vit: - Kur jemi unik jemi më të fortë – bashkë në tema nacionale.
- Kalkulimet për një grusht votash nuk e bëjnë shtetin.
Ju uroj festat e fundvitit!
Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja, Zoti e Bekoftë Kosovën dhe miqtë e saj.
RH