
Një pjesëtar i Grupit të Kumanovës, ka rrahur ish-ministrin e Transportit dhe Lidhjeve të Maqedonisë, Mile Janakievski, si dhe atë të Punës dhe Politikës Sociale Spiro Risteski, kanë njoftuar mediat e Maqedonisë.

Siç transmeton Gazeta Express, burime të Gazetës Lajm kanë konfirmuar se ka ndodhur një kacafytje fizike, por theksojnë se bëhet fjalë për incident të vogël, respektivisht “vetëm shtyrje” të ish-ministrit Janakievski.
“Sa kemi ne informacione, Janakievski nuk është rrahur, por vetëm ka pasë një zënkë verbale dhe kacafytje të vogël fizike, respektivisht shtyrje nga ana e njërit prej të arresttuarëve. Është e vërtetë se bëhet fjalë në këtë rast për një nga pjesëtarët e Grupit të Kumanovës”, kanë thënë për Lajmin burime zyrtare nga burgu i Shutkës.
Sipas tyre detaje shtesë duhet të japin nga Gjykata themelore Shkup 2, si gjykatë e cila ia ka caktuar paraburgimin Janakievskit.
Zëdhënësi i kësaj gjykate, Dejan Ristovski, deklaroi për portalin se deri në mbarim të orarit të punës në ora 15 e 30, ata nuk kanë marrë ndonjë informacion për incidentin.
“Ndoshta ka arritur te gjykatësi ndonjë informacion i tillë, mirëpo mbetet të ju informojmë gjatë ditës së nesërme”, theksoi Ristovski.
Ndërkohë burime të tjera, sidomos portale në gjuhën maqedonase, kanë informuar se një pjesëtar i Grupit të Kumanovës i paska sulmuar dy ish-ministrat, me ç’rast Janakieskit ia ka thyer dorën, kurse Risteski ka kaluar pa lëndime serioze. Media maqedonas që i publikuan këto informata u referohen anëtarëve të familjes së ish-anëtarëve të kabinetit të Nikolla Gruevskit.
Familjarët e të akuzuarve për “Makfax”, thonë se të dy janë lënduar në një rrahje me të dënuarit e “Lagjes së Trimave”. Të njëjtit thonë se të dy ish-ministrat kanë qenë të përgjakur dhe janë dërguar për kontrolle mjekësore në spitale.
Në një bisedë telefonike me drejtorin e Burgut, Jovica Stojanoviq, ai thotë për Portalb.mk vetëm se mundet ta konfirmojë se ka ndodhur incident, por kush dhe si, s’mund të tregojë pasi që, siç thotë ai, rrahja ka ndodhur në repartin e paraburgimit.
Ky portal njofton se deri te Gjykata ka arritur njoftim për incident fizik në Burgun e Shtukës, por nuk tregohet se për çfarë bëhet fjalë.
“Gjykatësi nesër do të shkojë në burg dhe do të shohë se çfarë ka ndodhur”, thotë për Portalb.mk, zëdhënësi i Gjykatës Penale, Dejan Ristovski.
Televizioni Alsat, siç transmeton Expressi, përcjell informata jozyrtare se sulmi ka ndodhur në oborrin e burgut, derisa të burgosurit kanë qenë duke shëtitur. Zënka verbale ka filluar mes Ristoskit dhe një të burgosuri tjetër. Menjëherë pas zënkës Ristevski dhe i burgosuri tjetër janë dërguar për kontroll në ambulancën e burgut.
Janakieski dhe Ristovski nga mbrëmë gjenden nnë paraburgim 30 ditorë në burgun hetues të Shutkës./Gazeta Express/