
Gati 80’të sa janë gjithsej në numër, zëvendësministrat e Kosovës, së fundmi janë shpërblyer edhe me një privilegj tjetër. Sado që emërimi në numër të madh i tyre u diskutua shumë, kjo si duket nuk ka pasur ndonjë efekt.
Paralelisht derisa po flitej për Ligjin për Qeverinë, në Kuvend të Kosovës u votua që deputetët të përfitojnë benefite edhe pasi që të përfundojnë mandatin, kjo për plot gjashtë muaj.
Rrjedhimisht nga kjo do të përfitojnë të gjithë zëvendësministrat e emëruar në Qeverinë Haradinaj.
Partia Social Demokrate e Shpend Ahmetit, pjesë e së cilës ishte kërkesa e Ligjit për Qeverinë, ka rënë në kontradiktë më atë që ka kërkuar, duke ia mundësuar votat privilegjeve të zëvendësministrave.
Nga Lëvizja Vetëvendosje, deputeti Xhelal Sveçla për Express ka thënë se krejt kjo situatë është bërë për interesa të veçanta dhe jo mbi parimet programore e konceptuale.
“Kur marrëveshjet politike bëhen mbi premisa klanore e për interesa të veçanta dhe jo mbi parimet programore e konceptuale sigurisht se rezultatet nuk mund të jenë të mira. Kjo kundërthënia që keni ngritur ju është vetëm njëra nga këto efekte. Pra, prapa një pazari paraprak këta kanë hedhur disa pika për votimin e buxhetit që nuk kanë lidhje me parimet e lëre më ato socialdemokrate, në njërën anë kanë kërkuar uljen e numrit të zëvendësministrave a në anën tjetër kanë votuar për vazhdimin e pagës së po të njëjtëve kur u mbaron pozita e zv.ministrit. E vërteta e votimit të buxhetit janë sms që dolën nëpër media dhe gjërat e tjera që do t’i shohim ditëve në vazhdim, të tjerat janë vetëm deklarime boshe”, shtoi ai.
Por, PSD’ja megjithatë po e shohin këtë si keqpërdorim, duke thënë se ligji që ia dhanë votat ka shumë të meta.
“Natyrisht që ligji ka edhe shumë të meta. Sigurimi i pagave për një pjesë të të emëruarëve politik edhe pas përfundimit të mandateve nuk ka kuptim. P.sh. për zëvendës-ministrat. Këtë nuk kemi arritur ta ndryshojmë. Por e kemi reduktuar krahasuar me propozimin fillestar. Ky është keqpërdorim. Por edhe për këtë PSD ka ndërmarrë masa. Më së largu deri në mars qeveria obligohet ta sjellë në Kuvend ligjin për qeverinë. Me këtë ligj do të reduktohet në minimum numri i zëvendës-ministrave. Kështu ata 80 sosh, ose më shumë që i kemi sot (numrin e saktë duket nuk e di askush) nuk do të jenë gjatë në qeveri. Pra edhe këtë keqpërdorim të parasë publike e kemi zvogëluar në shumë. Ligji për pagat do të hyjë në fuqi pas nëntë muajsh”, tha Shkodran Hoti, zyrtar për media.
Hoti gjithashtu ka shtuar se numri do të reduktohet më së largu deri në katër muaj.
PSD kishte kërkuar Ligjin për Qeverinë, si një nga kushtet për ta dhënë votën pro buxhetit.
Në këtë mënyrë do të bëhet shkarkimi dhe caktimi i numrit të saktë të posteve ministrore, e pamundësimi i bërjes pazare me poste ministrore sa herë që të vjen koha e zgjedhjeve.
Ligji për Qeverinë nuk është temë e ditëve të fundit. Ka shumë vite që po kërkohet ekzistimi i një baze të qartë ligjore që themelon dhe shuan postet ministrore. Pavarësisht kësaj një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.
E si rrjedhojë struktura qeveritare është rritur pambarimisht në mungesë të rregullave të krijimit dhe shuarjes së portofoleve ministrore.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në seancën maratonike të së shtunës ndër të tjerash kanë votuar edhe për amandametin që ua lejon zyrtarëve të marrin 70% të pagës, përgjatë 6 muajve pas përfundimit të mandatit.
“Funksionari publik:Zëvendësministri i cili pas përfundimt të mandatit nuk realizo asnjë të hyrë nga buxheti i shtetit, ka të drejtën e kompensimit kalimtar prej gjashtë muaj në vlerë prej 70% të pagës bazë të fundit, në institucionin në të cilin ka bartur funksionin”, thuhet në këtë amandamet/.A.K/Express