
Ish-kryeministri Avdullah Hoti dhe Ministri i Financave Hekuran Murati kanë debatuar sot në komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere për skemat sociale. Hoti kritikoi Muratin, i cili ka kërkuar 15 milionë euro kredi.
Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar tri marrëveshje ndërkombëtare, këtë të mërkurë.
Në këtë mbledhje ministri i financave, Hekuran Murati, i lajmëroi anëtarët e komisionit përkatës që do të marrë kredi disa milionëshe nga Banka Botërore, me të cilat para, ndër të tjera do të bëhet reformimi i skemave sociale.
Kjo pikë u kritikua nga deputetët e opozitës, përkatësisht nga ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti.
Ky i fundit tha se asnjëherë në asnjë qeveri nuk ka ardhur kërkesë për të marrë kredi për skema sociale.
“Çfarë Ministri i Financave kur lëvdohesh publikisht për pozicion të mirë fiskal për shkak të rritjes së të hyrave etj etj dhe kërkon 15 milionë euro kredi me përmirësuar bilancin tregtar”, e pyeti Hoti, shefin e kuletës së shtetit, Hekuran Muratin.
“Kjo kredi mbulon vetëm pilotimin, pjesën e parë të mbështetjes derisa të vihet në funksion tërë sistemi”, iu përgjigj Murati.
“Marrëveshja është e njëjtë, nuk do të rritet asistenca sociale, ne nuk kemi hyrë në kredi asnjëherë për ndihma sociale. Çfarë ministri i Financave je kur kërkon kredi për ndihma sociale”, tha Hoti.