Kur Yll Limani lindi në 1994 grupi ‘Minatori’, pjesë e të cilit ishte babai i tij, Mufaili, kishte vite në tregun muzikor dhe atë vit publikuan albumin e parë “Orgazmi Më Vjen Prej Syve Të Tillë”. Grupi u tërhoq nga muzika pak vite më vonë ndërsa këngët e tyre vijojnë t’i mbijetojnë kohës dhe dekada më vonë Ylli ka më në fund një këngë të krijuar nga i ati.
Në albumin e ri të këngëtarit “Tjetër”, kënga “Ndjenjë” është shkruar nga babai i artistit, i cili ka krijuar po ashtu edhe muzikën.
“Bab, me ty ia ka nis dashnia jem për muzikë. Të dua shumë! Të detyrohem gjithçka.”-shkroi Ylli.
Emri i Yllit u bë i famshmëm për herë të parë në talent show-n “The Voice of Albania” në vitin 2011 ku ra në sy jo vetëm për zërin magjepsës por edhe për sensin e tij të humorit që shkaktonte shpesh të qeshura në skenë. Mirëpo, ndonëse prej vitesh tashmë është një nga emrat më të lakuar të skenës muzikore shqiptare, pakkush e di se Ylli Limani vjen nga një familje artistësh. Ylli është i biri i kitaristit të grupit legjendar ‘Minatori’, Mufail Limani.
Grupi “Minatori” njihet si një ndër grupet më të njohura në Kosovë, të cilët janë dalluar edhe për tekstet e këngëve, të cilat vazhdojnë të mbeten të paharruara për shumë adhurues.
Një ndër këngët e famshme të grupit “Minatori”, është edhe kënga “A thua ëndërr ishe ti”, mirëpo, grupi “Minatori”, është një ndër grupet që ka krijuar shumë hite për vitet e 80-ta, ku këngët e tyre kanë qenë hite në Radio Televizionin e Prishtinës.