
Ani pse Qeveria e Kosovës bëri thirrje që rryma për qytetarët të mos ndalet, pavarësisht nga sfidat që mund të kenë KEK-u e KEDS-i, duket se kjo e fundit s’do të bindet.
Viktor Buzhala, zëdhënës në KEDS, i ka thënë Kohavisionit se “në këtë situatë, për të balancuar sistemin jemi të detyruar që të aplikojmë ndërprerje duke bërë përpjekje maksimale që konsumatorët të afektohen sa më pak”.
“Për momentin jemi duke u ballafaquar me mungesë të energjisë elektrike. Nga prodhimi vendor po arrihet të prodhohen më pak se 400 MW që nuk arrin të mbulojë as 50% të konsumit. Ne jemi duke importuar të gjithë energjinë që po mund ta gjejmë në treg dhe po e blejmë atë me një çmim shumë të lartë, rreth 100 deri 120 EURO për MW. Kjo është 4 herë më e shtrenjtë se rryma që prodhohet në vend. Këto çmime të larta kanë ndikim në çmimin e rrymës për konsumatorë”, ka thënë Buzhala për KTV-në. “Në këtë situatë, për të balancuar sistemin jemi të detyruar që të aplikojmë ndërprerje duke bërë përpjekje maksimale që konsumatorët të afektohen sa më pak”, ka thënë më tej Buzhala.
Më tej ai u ka bërë thirrje “të gjithë konsumatorëve që të kursejnë energjinë për aq sa munden në mënyrë që ta tejkalojmë këtë situatë vështirë”.