Junikun e ka kapluar një gjendje e jashtëzakonshme sa i përket furnizimit me energji elektrike. Tash e disa ditë, Juniku është duke u ballafaquar deri me 12 orë të ndërprerjes me energji elektrike që nga sezona e verës. Edhe pse mbi 90% e qytetarëve janë pagues të rregulltë të energjisë, sipas banorëve lokal ky diskriminim nga KED-s, ndodh vetëm në Junik. Qytetari Besmir Hebibi shprehet për Gazeten Projekti se një pjesë e përgjegjësisë i takon edhe administratës së Komunës së Junikut e cila toleron një gjendje të këtillë dhe kalon pa asnjë ankesë drejt KEDS-it, edhe pse i ka të gjitha arsyet për tu mos u pajtuar me gjendjen, ata prapë se prapë nuk marrin masat e nevojshme. Sipas informacioneve në Junik në fshatrat e Komunës së Gjakovës, që gjinden në zonën kufitare të Komunës së Junikut, nuk kanë reduktime fare të energjisë elektrike. Gazeta Projekti ka tentuar të marr një informat nga KEDS, por, qasja ndaj tyre ka qenë e pamundur.