Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë për rastin e mbrëmshëm në Prishtinë, në të cilin dyshohet se hajnat hynë në shtëpinë e viktimës, dhe pas një shkëmbim zjarri ka mbetur i vrarë njëri prej tyre.
Policia përmes raportit 24 orësh ka treguar se pronari i shtëpisë ka raportuar në polici se katër persona të dyshuar kishin hyrë në shtëpinë e tij, dhe se njëri prej tyre i ka drejtuar armën, raporton lajmi.net.
Sipas policisë, viktima ka poseduar armë dhe ka shtënë në drejtim të të dyshuarit K.K, të cilit i ka shkaktuar plagë vdekjeprurëse.
Po ashtu njëri nga të dyshuarit ka shtënë në drejtim të viktimës, mirëpo nuk është goditur.
Njësitë relevante kanë dal në vend të ngjarjes dhe nga ekipi mjekësor është konstatuar se i dyshuari mashkull nuk ka shenja jete.
Nga viktima është konfiskuar pistoleta e cila është përdorur në rast.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Rasti ka ndodhur në lagjen “Veternik”, rreth orës 21:05.