
Është rritur në mënyrë të ndjeshme bilanci i viktimave palestineze në Gaza, ku sipas përditësimit të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, e drejtuar nga Hamasi, janë zyrtarisht 8 mijë e 796 viktima.
Fakti më alarmant është se prej tyre, 3 mijë e 648 janë fëmijë dhe 2 mijë e 290, janë gra.
Në terma konkretë, prej fillimit të luftës, vriten mesatarisht çdo ditë 370 palestinezë, nga bombardimet izraelite.
Sipas të dhënave të publikuara, çdo orë në Gaza vriten 15 persona, prej të cilëve gjashtë fëmijë. Po ashtu, 35 të tjerë plagosen, nga 42 bomba apo raketa që lëshohen dhe 12 ndërtesa që shkatërrohen tërësisht.
Prej viktimave në radhët e fëmijëve, 133 prej tyre janë poshtë moshës 1 vjeç, 482 të tjerë janë mes 1 dhe 3 vjeç, 344 janë mes 4 dhe 5 vjeç, 1 mijë e 42 janë mes 6 dhe 12 vjeç, teksa pjesa tjetër është deri në moshën 18 vjeç.
Shumë viktima ka edhe mes të rinjve, me thuajse 1 mijë, të cilët janë deri në moshën 25 vjeç.