
Kanë përfunduar edhe tri ndeshjet e mbetura të xhiros së 30 të Superligës së Kosovës, aty ku Ballkani ka shënuar fitore të thellë ndaj Trepçës’89 me rezultat 7:2 duke ruajtur kreun e tabelës, ndërsa Llapi ka barazuar në shtëpi ndaj Dukagjinit 1:1, e Gjilani me rezultat minimal 1:0 ka fituar ndaj Drenicës.
Suharekasit janë kthyer në formë në momentet vendimtare, duke arritur fitoren e dytë radhazi dhe po marshojnë drejt mbrojtjes së titullit kampion.
Ballkani – Trepça’89
Ndeshja e zhvilluar në Suharekë i takoi krejtësisht kampionit në fuqi, e cila dominoi në të dy pjesët e takimit, teksa vetëm në 45 minutat e para shënoi tre gola.
Albin Berisha ishte golashënuesi i parë i ndeshjes, kur realizoi për 1:0 në minutën e 30-të, me asistin e Albion Rrahmanit.
Në minutën e 36-të të takimit ishte Lumbardh Dellova që realizoi gol fantastik nga gjuajtja e lirë nga një distancë shumë e madhe për ta çuar rezultatin në 2:0.
Teksa për rezultatin e pjesës së parë u kujdes Albin Berisha që shënoi të dytin personal në minutën e 42-të, për 3:0.
Me të filluar pjesa e dytë, Ballkani gjeti golin e katërt, kësaj radhe me anë të Albion Rrahmanit.
Edvin Kuc gjeti rrjetën në minutën e 65-të për ta çuar rezultatin në 5:0, ndërsa për rezultatin 6:0 shënoi Rrahmani, që ishte i dyti në këtë ndeshje dhe i gjashti për Ballkanin.
Ballkani shënoi edhe të shtatin me anë të Harmon në minutën e 72-të, ndërsa Armend Thaqi kompletoi het-trik me asiste në aksionin e këtij goli.
Gashi dhe Adu-Kwaw shënuan për mitrovicasit për të ngushtuar sadopak rezultatin në këtë takim.
Ballkani 7:2 Trepça’89, me suharekasit që ruajnë kreun e tabelës me një pikë më shumë se Drita e vendit të dytë.