Në debatin e iniciuar për pensionistët kontribudhënës, të iniciuar nga deputetja Teuta Haxhiu, ka folur deputetja e AAK-së Time Kadriaj.
Kadriaj ka kërkuar zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Ajo ka thënë se shumë prej pensionistëve kosovarë që janë plaçkitur nga Serbia kanë vdeku, por ka kërkuar që anëtari më i afërt i familjes t’i gëzojë ato para.
“Shteti i Serbisë kishte ndalur kontributet nga qershori i vitit 1999, nga përfundimi i luftës në Kosovë. Serbia ndërprenë çdo pagesë për pensionistët kontributdhënës shqiptarë. Që nga atëherë pensionistët kosovarë nuk kanë arritur t’i marrin paratë e tyre nga ky fond. Kërkojmë që në marrëveshje, të përfshihet, që pensionin ta marrë familja në rast se ai ka vdekur”, tha ajo.
Kadriaj ka thënë se fondi pensional i grabitur nga Serbia kishte vlerë deri në 2 miliardë euro.
Ajo ka kërkuar që të realizohet e drejta e pensionistëve dhe ata të marrin atë që u takon.
“Sipas vlerësimeve të përafërta, thuhet se shuma e fondit pensional të Kosovës, arrin vlerën e 2 miliardë eurove. Kur Serbia ka grabitur fondin pensional, numri i tyre ka qenë mbi 89 mijë pensionistë. Ata nuk po kërkojnë asgjë më shumë apo më pak se sa të drejtën e tyre të pamohueshme”, ka thënë ajo.