Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk do të shkojnë në takimin e thirrur nga kryeministri i vendit Avdulla Hoti, për t’i informuar rreth Samitit të Parisit dhe takimit në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Burime të lajmi.net brenda PDK-së i kanë thënë lajmi.net se kreu i kësaj partie, Kadri Veseli nuk do të marrin pjesë në këtë takim.
Edhe nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se kjo parti nuk do t’i përgjigjet ftesës së Hotit për takim me liderët politikë.
Zëdhënësi i VV-së, Përparim Kryeziu, tha se nuk do i përgjigjen ftesës së Hoti dhe se dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë i përgatitur mirë dhe me parime.
Për Vetëvendosjen, nuk mund të ketë dialog të mirëfilltë, pa legjitimitet të ri përmes zgjedhjeve.
“Nuk mund të ketë dialog të mirëfilltë pa legjitimet të ri përmes zgjedhjeve. Dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë i përgatitur mirë dhe me parime, e kjo qeveri, përveç se legjitime dhe jo legale, nuk është as e përgatitur dhe as nuk ka parime për këtë dialog”, tha Kryeziu.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, edhe sot ka ftuar liderët e të gjitha partive politike në vend për t’i informuar rreth Samitit të Parisit dhe takimit me presidentin serb Aleksandër Vuçiq në Bruksel.
“Ashtu siç e kam thënë prej ditës së parë do të jem plotësisht transparent në këtë proces. Por, dialog teknik nuk ka. Ka vetëm dialog politik për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve”, tha Hoti të hënën kur njoftoi për ftesat drejtuar liderëve.