
Anthony Joshua mezi pret që Deontay Wilder ta thyejë heshtjen dhe ka ngritur pyetje nëse amerikani është duke e përgatitur një “master plan” pas humbjes kundër Tyson Fury.
Për Wilderin nuk dihet se kur do të kthehet në ring dhe kundër kujt, pasi Fury tregoi së fundmi se meçi i tretë mes tyre nuk do të ndodhë, transmeton Gazeta Express.
Kampioni i botës në kategorinë e rëndë në WBC, Fury është në kërkim të një kundërshtari të ri për një meç në dhjetor në atdheun e vet.
Joshua, ndërkohë, është duke u përgatitur për ta mbrojtur titullin e vet kundër Kubrat Pulev më 12 dhjetor në Londër dhe thotë se e kupton përse Wilder nuk ka folur ende publikisht pas humbjes kundër Fury.
Joshua thotë se e kupton Wilderin sepse edhe vetë kishte marrë kritika të njëjta pas humbjes së parë profesionale kundër Andy Ruiz në vitin 2019.
“Nuk e di, pra nuk mund të flas për gjendjen e së cilit, por sipas mendimin tim, pas një humbjeje, gjërat ndryshojnë”, tha Joshua.
“Kur humb distancohesh. Bota është mizore. Duhet të mos i lejosh kritikat të ndikojnë tek ti”, shtoi ai.
“Ai ose është duke e përgatitur një master plan – ai është në laborator tani, me syze shkencore në sy, duke e studiuar çdo lëvizje të Fury. Ai ose po e bën këtë, ose është duke qëndruar ulur me duar në kokë duke menduar ‘çfarë po ndodh?’”, nënvizoi ai.