
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, përmes një konferencë të jashtëzakonshme ka thënë se greva e nisur nga 25 gushti nuk do të ndalet as më 1 shtator.
Madje sipas tij, kjo grevë do të vazhdojë të fuqizohet në shtator deri në realizimin e kërkesave.
“Greva do të vazhdoj edhe më fuqishëm më 1 shtator, nëse vazhdohet kështu me teka të Qeverisë 1 shtatori mësimdhënësit do t’i gjejë në grevë ndërsa nxënësit në shtëpi”, ka thënë Jasharaj.
Ndërkaq ai pohon se të pajtimit për të vazhduar grevën janë edhe mësimdhënësit.
“Mesazhi i tyre është që ne të qëndrojmë dhe ne ju kemi dhënë besën që do të qëndrojmë. Këtë e thash që ta heqim një dyshim të Qeverisë që mësimdhënësit nuk janë të pajtimit për grevën”.
Jasharaj tha se këtë konferencë e ka thirrur për shkak të “deklaratave skandaloze” të ministrit të Financave, Hekuran Murati, të cilin sindikata ka marrë vendim që ta padis.
“Murati në vend se të jetë zë i qeverisë në emër të uljeve të tensioneve dhe për ta kthyer situatën në normalitet ai na kërcënon. Kërcënimi i tij ka pasur qëllim që ta frikësoj dikën dhe që ta ngulfate vullnetin dhe zërin e grevistëve që janë në grevë derisa nuk zgjedhën kërkesat legjitime”.
“Ne kemi bërë deklarata edhe në të kaluarën por asnjë deklaratë nuk ka qenë kërcënuese. Qeveritë e kaluara kanë treguar se i respektojnë sindikatat pasi me ta kemi gjetur gjuhë të përbashkët”.
Edhe, Ali Reshiti, pjesëmarrës i grevës deklaroi se janë duke pritur ftesën e ekzekutivit për bisedime.
“Ne jemi duke pritur ftesën e Qeverisë. Ta dëshmoni edhe një herë që jeni të interesuar për dialog ne jemi të hapur në çdo moment, çdo ditë. Kjo është në dorën tuaj, ne jemi të gatshëm që kur të na ftoni të dialogojmë”, ka thënë Reshiti.