Një ishull i vogël në oqeanin Paqësor është vendi i një zbulimi që mund të ndryshojë rrënjësisht të ardhmen ekonomike të Japonisë. Por, për çfarë bëhet fjalë?
Thjesht për baltë! Një sasi kolosale balte e vlerësuar në rreth 16 milionë tonë në ishullin e vogël Minamitori. Brenda kësaj balte gjendet një depozitë thuajse e pafundme mineralesh të rralla.
Mineralet e rralla përmbajnë elementë të rrallë të tabelës periodike, që përdoren në pajisjet e teknologjisë së lartë, si telefona celularë, sisteme raketash, radarë dhe makina hibride.
Për shembull, itriumi, një nga më të njohurit mes mineraleve të rralla dhe që te balta japoneze gjendet me shumicë, përdoret për të prodhuar lente, superpërcjellës apo ekranë telefonash celularë.
Ishulli Minamitori është mbi 1.600 km larg Tokios, por është pjesë e kryeqytetit dhe gjendet brenda Zonës Ekonomike Japoneze, diçka që e bën baltën e çmuar pronë të Japonisë.
16 milionë tonët e baltës vlerësohet se përmbajnë 780 vite furnizim me itrium, 620 vite me europium, 420 vite me terbium dhe 730 vite disprosium. Me pak fjalë mund të furnizojnë botën thuajse përjetësisht.
Kjo është diçka e jashtëzakonshme, por vlera rritet tej mase duke parë ofertën dhe kërkesën aktuale për mineralet e rralla. Kina ka monopolin e mineraleve të rralla dhe kontrollon 95% të prodhimit global.
Me zbulimin e ri dhe pasi të nisë shfrytëzimin e tij, Japonia pritet të hidhet fuqishëm në skenën globale dhe nuk ka më nevojë që të presë Kinën të caktojnë çmimin dhe disponueshmërinë e mineraleve.