Jack Smith, i cili hetoi Donald Trumpin mbi akuzat për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2020 dhe mbajtjen e paligjshme të dokumenteve të klasifikuara pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, ka dhënë zyrtarisht dorëheqjenga pozita si këshilltar special pasi i dorëzoi raportin e tij përfundimtar mbi hetimet Prokurorit të Përgjithshëm, Merrick Garland.
Smith dha dorëheqje pasi ka përfunduar punën e tij në dy hetime penale ndaj Presidentit të zgjedhur, Donald Trump, raporton Politico.
Vendimi i largimit erdhi përmes një letre që zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë i dorëzuan gjykatëses së qarkut në SHBA, Aileen Cannon të shtunën pasdite, duke i kërkuar asaj që të mos e zgjasë një urdhër gjykate që ajo lëshoi javën e kaluar, duke bllokuar përkohësisht publikimin e raportit përfundimtar që Smith ua dorëzoi drejtuesve të departamenteve të martën.
Zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë thonë se urdhri i Cannon e ka tejkaluar autoritetin e saj dhe se ajo nuk ka fuqi të bllokojë Prokurorin e Përgjithshëm, Merrick Garland nga publikimi i gjetjeve të Smith. Ndalimi i saj për zbulimin e raportit të Smith aktualisht zgjat deri të hënën.
Garland ka thënë se planifikon të publikojë vetëm pjesën e raportit të Smith që mbulon hetimin e tij mbi përpjekjen e Trump për të përmbysur zgjedhjet e 2020-ës.
Dorëheqja e Smith para përfundimit të mandatit të presidentit, Joe Biden pritej gjerësisht dhe u paralajmërua nga zyrtarë të tjerë të Departamentit të Drejtësisë. Trump ka kërkuar vazhdimisht që Smith të ndiqet penalisht për trajtimin e rasteve ndaj tij dhe madje ka sugjeruar që ai të dëbohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nuk kishte asnjë deklaratë të menjëhershme nga Departamenti i Drejtësisë duke marrë parasysh largimin e Smith.
Largimi i Smith përfundon një nga kapitujt më të jashtëzakonshëm dhe më të trazuar në historinë e Departamentit të Drejtësisë, duke rezultuar në akuza të rënda penale kundër Trump, ish-presidenti i parë që u përball me ndjekjen penale.