Para 70 vjetësh u themelua shteti i Izraelit. Për të kujtuar këtë ditë do të festohet 70 orë në Izrael
Fjalime ceremoniale, koncerte, fishekzjarrë, festime në rrugë, ahengje – izraelitët festojnë 70-vjetorin e themelimit të shtetit të tyre 70 orë – deri të shtunën në mbrëmje.
Në ceremoninë kryesore në hapje të festimeve në kodrinën Herzl ku ndodhen varrezat e kombit, u ndezën pishtarët. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu theksoi se pavarësia e Izraelit do të thotë edhe aftësi për vetëmbrojtje. Ai i drejtoi një mesazh vendeve të rajonit. “Dora jonë zgjatet në paqe për të gjithë fqinjët tanë që e duan paqen”.
Falënderime për Donald Trump
Presidenti i Izraelit, Reuven Rivlin, falënderoi “të gjithë banorët e Izraelit dhe miqtë në të gjithë botën”. Sidomos falënderimi vlen për ata që dhanë jetën për ndërtimin dhe të ardhmen e Izraelit, tha ai. Ata kanë paguar “çmimin më të lartë” për vendin e tyre. 70 vjet janë shumë për një jetë njeriu, por shumë shumë pak për një popull. Ai shpreson që Izraeli të rritet e begatohet edhe më shumë.
Si presidenti Rivlin ashtu edhe kryeministri Netanjahu falënderuan presidentin amerikan, Donald Trump për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit në dhjetor. SHBA duan të zhvendosin ambasadën e tyre në Maj në Jerusalem. Këtë plan e përforcoi edhe njëherë presidenti Trump. “Nuk kemi askund tjetër miq më të mirë”, shkroi Trump duke uruar Netanjahun dhe popullin izraelit për 70-vjetorin e themelimit të shtetit.
Izraeli feston, palestinezët protestojnë
Fakti që festimet zhvillohen tani lidhen me orientimin e Izraelit nga kalendari hebraik. Zyrtarisht themelimi i shtetit modern të Izraelit njihet më 14 Maj 1948. Këtë ditë kryeministri i mëvonshëm i Izraelit, David Ben Gurion lexoi në Tel Aviv deklaratën e pavarësisë.
Nëse për izraelitët kjo ditë është ditë feste, për fqinjët arabë ajo konsiderohet si katastrofë. Me shpalljen e shtetit të Izraelit, filloi për palestinezët dëbimi dhe largimi i njerëzve nga vendlindja. Prandaj palestinezët protestojnë gjashtë javë deri në maj. Në Rripin e Gazës ka pasur trazira të përgjakshme me disa të vdekur. /Deutsche Welle