Ish-kryeministri i Italisë, Massimo D’Alema, ka treguar vështirësinë e marrjes së vendimit për ta sulmuar ushtarakisht regjimin e Sllobodan Millosheviçit, rrjedhimisht për çlirimin e popullit shqiptar në Kosovë.
Në Info Magazine të Klan Kosovës ai ka rrëfyer prapaskenat e atyre orëve dhe ditëve në diplomacinë ndërkombëtare, teksa shqiptarët e Kosovës përballeshin përditë me mizorinë e asaj strukture që udhëhiqte Serbinë.
Jogobella dhuron pushim në Turqi. Luani edhe ju!
“Gjatë jetës time politike kam takuar në dy momente të rëndësishme në historinë e Kosovës. Kur u vendos të ndërhyhet me forcë për të mbrojtur popullin e Kosovës dhe për të detyruar forcat serbe të largohen nga Kosova. E kujtoj kohën e Pashkëve të vitit 1999 të cilën e kalova në Kukës duke takuar njerëz që ishin larguar nga Kosova, për të mos u persekutuar”.
“Në atë kohë u binda për nevojën për të marrë iniciativën dhe për të ndërhyrë me forcë, gjë të cilën e bëmë bashkë me Bill Clinton, Tony Blair, me Francën dhe Gjermaninë. Ishte vendim i vështirë, por që edhe sot besoj se ka qenë i drejtë, meqë lindte nga nevoja për të mbrojtur jetën e shumë njerëzve dhe të drejtat e një populli”.
“U konsiderua që ishte e nevojshme të ndërhyhej në mënyrë shumë të shpejtë për të goditur forcat e armatosura serbe dhe për ta detyruar Millosheviçin që t’i hiqte ushtarët nga Kosova. Italia bëri pjesën e vet, jo vetëm duke ofruar bazën e vet ushtarake, por edhe duke marrë pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë në operacionet ushtarake të NATO-s. Nuk ka qenë e lehtë. Por unë e dhe sot jam shumë i bindur që ka qenë e domosdoshme”.
“Nuk kishte legjitimitet të plotë mbi bazën e të drejtës ndërkombëtare, ndaj ka qenë vendim shumë i vështirë. Ka pasur dallime edhe në qeveri, por ato nuk ishin dramatike. Unë pata thënë që do të merrja përgjegjësi personalisht – që nëse gjërat do të shkonin keq unë do të dorëhiqesha”. /kl