Ish-diplomati kosovar në Katar, Eshref Haxhiu, thotë se kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për deputete, Vasfije Krasniqi duhet të bëhet ministre e Jashtme.
Ish-diplomati Haxhiu thotë se Vasfije Krasniqi si Ministre e Jashtme, përveҫ se do ta zbrapste agresivitetin diplomatik të Serbisë kundër Kosovës, në tavolinën e dialogut Kosovë-Serbi do të shtonte presionin ndaj Serbisë për të kërkuar fajle dhe do ta fuqizonte edhe më shumë kërkesën legjitime të Kosovës për kompensimin e dëmeve të luftës.
Haxhiu thotë se bashkë me Murat Jasharin në cilësinë e presidentit të Kosovës, ky do të ishte një përfaqësim fenomenal i Kosovës në një rrethanë tejet të rëndësishme historike në të cilën gjendet shteti dhe e ardhmja e vendit tonë, shkruan Reporteri.net.
Postimi i tij:
Rreth rëndësisë së faktorizimit politik të zonjës Vasfije Krasniqi dhe potencialit të saj në tavolinën e bisedimeve Kosovë-Serbi
Pozita e deputetit në Kuvendin e Kosovës do të duhej të ishte arritja minimale e saj. Si Ministre e Jashtme, prania e saj, përveҫ se do ta zbrapste agresivitetin diplomatik të Serbisë kundër Kosovës, në tavolinen e dialogut Kosovë-Serbi do të shtonte presionin ndaj Serbisë për të kërkuar fajle dhe do ta fuqizonte edhe më shumë kërkesën legjitime të Kosovës për kompensimin e dëmeve të luftës.
Bashkë me z. Murat Jashari në cilesinë e presidentit të Kosovës, ky do të ishte një përfaqësim fenomenal i Kosovës në një rrethanë tejet të rëndësishme historike në të cilën gjendet shteti dhe e ardhmja e vendit tonë.
Vazhdim:
Zonjën në fjalë nuk e kam takuar asnjëherë, por kjo nuk ka aspak rëndësi. E rëndësishme është ajo që kjo zonjë e nderuar përfaqëson. Në vitin 1999, në atë kohë e mitur, vetëm 16-të vjeҫare, ajo është marr dhunshëm prej shtëpisë së saj nga dy Serbë, njëri nga ta polic (pra, përfaqësues i shtetit Serb) dhe është dërguar në një vend ku është torturuar fizikisht dhe është dhunuar seksualisht.
Gjatë kthimit të saj për në shtëpi, zonja Vasfije e kishte marr rrugën që kalonte kah varrezat e fshatit, për shkak se, siҫ tregon ajo, vetëvrasja ishte gjëja e vetme që ajo e mendonte në atë kohë. Mbase vetëvrasjen nuk e ka menduar vetëm ajo, por edhe rreth 20-të mijë gra të tjera shqiptare të dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kjo ndodh për shkak se traumat që rezultojnë nga dhunimet seksuale janë nga më të rëndat që njeriu i përjeton. Tmerri i një traume të tillë nganjëherë bëhet i papërballueshëm, sa që vetëvrasja shihet si zgjidhje për t’i dhënë fund atij tmerri. Karakteristikë e traumës është edhe ndjenja e vetfajësimit.
Pra, gratë e dhunuara, nëse ende nuk i kanë trajtuar dhe përpunuar traumat e tyre, e fajsojnë vetën për atë që u ka ndodh, edhe pse në realitet nuk kanë asnjë faj. Fatkeqësi tjetër e madhe në lidhje me këtë fenomen janë edhe paragjykimet dhe stigmatizimi shoqëror që vazhdon më pas. Kjo mbase edhe mund të jetë arsyeja kryesore që në mesin e 20-të mijë grave të dhunuara gjatë luftës, vetëm një ka marr guximin që të flas publikisht për përvojën e saj.
Stigmatizimi i viktimave të dhunës seksuale nuk është diҫka e re për njerëzimin, as edhe për shqiptarët. Rrënjet e këtij mentaliteti të prapshtë datojnë që në parahistori. Kur Poseidoni e dhunoi Meduzën në tempullin e Athenës, Athena nuk e dënoi dhunuesin, por viktimën, duke i shndërruar fijët e flokëve të saj në gjarpërinjë. Që nga ajo kohë viktimat kanë heshtur. Janë frikësuar se do të pësojnë edhe më keq.
Por, tani është koha që ky botkuptim të marr fund. Për gratë e Kosovës, zonja Vasfije shënon fillimin e këtij fundi. Ajo është simboli i asaj që në literaturë dhe shkencë njihet si rritje post-traumatike.
Pra, ekziston një mrekulli që mund të nxjerret nga përjetimet traumatike. Mrekullia qëndron pikërisht në thelbin e mundësisë për t’u bërë një person më i fortë se sa ke qenë para se të ndodh ngjarja traumatike. Falë guximit dhe kurajës së saj, e tillë është sot zonja Vasfije si person. Por, e rëndësishme dhe tejet e dombishme për Kosovën do të ishte ngritja e saj në nivel të përfaqësimit politik.
Prandaj, pozita e deputetit në Kuvendin e Kosovës do të duhej të ishte arritja minimale e saj. Shoqëria dhe politika e Kosovës, veҫmas votuesit e Lëvizjes Vetëvendosje – do të duhej që me votën e tyre të kontribonin në faktorizimin e saj në skenën politike. Një gjë e tillë, më shumë se sa zonjën në fjalë, do ta ndihmonte dhe do ta nderonte shtetin e Kosovës.
Prandaj, besoj se duhet zhvilluar përpjekjet që pas zgjedhjeve të 14-të shkurtit, zonja Vasfije të vëndoset në krye të ndonjë instititucioni të rëndësishëm të shtetit të Kosovës. Në rastin më të mirë, ajo do të duhej të zgjedhej si Ministre e Jashtme apo edhe si Kryeparlamentare.
E rrethuar me një ekipë të eksperteve dhe këshilltareve më të mirë që ka vendi, ajo jo vetëm që do të mund ta rikthente pozicionin tanimë të zbehur të Kosovës në politikën e jashtme, por, për më shumë, do ta avanconte atë edhe me tutje.
Përfaqësimi i jashtëm i Kosovës nga ana e saj dukshëm do ta zbrapste agresivitetin diplomatik të Serbisë kundër Kosovës. Ajo në mënyrën më të mirë do të përfaqësonte të vërtetën e luftës në Kosovë, ku Serbia ka qenë agresori, ndërkaq viktima ka qenë Kosova. Për më shumë, prania e saj në tavolinën e dialogut Kosovë-Serbi, jo vetëm se do të shtonte presionin e Serbisë për të kërkuar falje, por, do ta fuqizonte edhe më shumë kërkesën legjitime të Kosovës për kompensimin e dëmeve të luftës.
Bashkë me z. Murat Jashari në cilësinë e presidentit të Kosovës, ky do të ishte një përfaqësim fenomenal i Kosovës në një rrethanë tejet të rëndësishme historike në të cilën gjendet shteti dhe e ardhmja e vendit tonë.