
Isa Mustafa e quan gënjeshtar Enver Hoxhajn e PDK-së: Hashim Thaçi e ka negociuar Asociacionin
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka pyetur se: pse ka nevojë Enver Hoxhaj të gënjejë nga foltorja e Kuvendit?!
Në një shkrim të tij në Facebook, Mustafa i është kundërpërgjigjur Hoxhajt i cili tha se Asociacioni i Komunave serbe është nënshkruar nga Isa Mustafa.
Mustafa thotë se Asociacioni është dialoguar dhe ratifikuar në kohën kur Hashim Thaçi ka qenë kryeministër.
Shkrimi i plotë i Isa Mustafës:
Pse ka nevojë Enver Hoxhaj të gënjejë nga foltorja e Kuvendit?!
Është profesor universitar, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës; një kohë ministër i jashtëm sa kam qenë unë Kryeministër.
Vendimi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, është në Marrëveshjen e Parë, të cilën e ka negociuar dhe e ka nënshkruar Kryeministri i atëhershëm, z. Hashim Thaçi (jo Isa Mustafa siç gënjen Enveri). Marrëveshja është ratifikuar me Ligj, në vitin 2013, me 2/3 e Kuvendit dhe është bërë obligim ndërkombëtar.
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese thotë se Asociacioni do të themelohet ashtu siç është paraparë me Marrëveshjen e parë e ratifikuar nga Kuvendi dhe e shpallur nga Presidentja e Republikës së Kosovës.
Unë kam nënshkruar një marrëveshje të parimeve të përgjithshme për implementimin e Marrëveshjes së Parë, si pjesë e zbatimit të Ligjit për ratifikimin e kësaj Marrëveshje.
E kam instaluar dhe fuqizyar rolin e Gjykatës kushtetuese, si arbitër përfundimtar. Por, të thuhet se unë e kam bërë marreveshjen në vitin 2015 për themelimin e Asociacionit, kur për te është vendosur në vitin 2013, është e pavërtetë absolute. Pse vazhdon avazin e gënjeshtrave Enver Hoxhaj, ai e di. Por me rrenë nuk i bënë mirë as partisë së tij e lere më Kosovës. IM