Qeveria e Irlandës është duke u përballur me akuza për diskriminim për shkak të ndaljes së ndihmave financiare të papunësisë për personat që kanë shkuar për pushime jashtë vendit.
Partitë opozitare dhe mbrojtësit e të drejtave civile e dënuan këtë politikë pasi u zbulua se 104 personave u ishte ndërprerë ndihma nga shteti kur autoritetet kuptuan se ata ishin larguar nga vendi. 44 personave të tjerë iu ndërpre ndihma financiare pasi u kthyen në atdhe.
Sipas rregullave për beneficione nga sistemi social, njerëzit duhet t’i shmangin udhëtimet jashtë vendit në përputhje me këshillat rreth shëndetit publik për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, kritikët thonë se publikimi i një liste të gjelbër të vendeve që vlerësohen relativisht të sigurta për udhëtime i ka hutuar njerëzit dhe e ka minuar mesazhin për të qëndruar në shtëpi.
Zëvendëskryeministri irlandez, Leo Varadkar, tha: “Departamenti për Mbrojtje Sociale merr informata nga aeroportet dhe nëse dikush nuk është duke kërkuar punë sinqerisht ose nuk është duke jetuar më në vend, pagesat e tyre të mirëqenies mund të ndërpriten”.