970×90
970×90

Intervistë me shkrimtaren Oksana Zabuzhko: “Populli im nuk ka frikë. Aleatët tanë janë më të frikësuar se ne”

Intervistë me shkrimtaren Oksana Zabuzhko:  “Populli im nuk ka frikë. Aleatët tanë janë më të frikësuar se ne”

Donald Trump është i interesuar vetëm të jetë në qendër të vëmendjes, por përdor fjalë pa kuptim. Për Ukrainën ai shpërndan shifra që nuk janë të vërteta dhe bën deklarata që nuk kanë asnjë bazë. Problemi është se askush më nuk e mban përgjegjës për atë që thotë. Oksana Zabuzhko, 64 vjeçe, është jo vetëm shkrimtarja më e njohur në Ukrainë, por edhe një simbol i patriotizmit.

Poemat e saj shkruhen në muret pranë vijës së frontit. Më 8 mars 2022, vetëm disa ditë pas pushtimit rus, ajo u ftua në Parlamentin e Strasburgut, si qytetarja e parë jo-evropiane që fliste në një seancë plenare. Jeton në Kiev dhe ka folur në telefon për La Repubblica mbi situatën në vendin e saj.

Trump nuk flet rastësisht, ai po përdor narrativën e Kremlinit.

Është e vërtetë, por me një ndryshim: fjalët e Putinit kanë njëfarë logjike në marrëzinë e tyre. Polonio, tek ‘Hamleti’, thotë: ‘Kjo është çmenduri, por ka një metodë brenda saj’. Kjo i shkon për shtat Putinit. Drama është se Perëndimi nuk di ta interpretojë atë.

A ndihet populli ukrainas i tradhëtuar nga SHBA pas tre vitesh mbështetje nga Biden?

Nëse flasim për tradhti, SHBA na tradhtoi në vitin 2014. Ata nuk e respektuan memorandumin e Budapestit të vitit 1994, ku Ukraina hoqi dorë nga armët bërthamore në këmbim të garantimit të kufijve të saj. Me Trumpin, përballemi me diçka tjetër.

Çfarë saktësisht?

Një epokë të re të politikës botërore. Presidenti amerikan po huazon dhe përhap idetë e propagandës ruse. Unë e quaj këtë ‘post-propagandë’, sepse nuk ka më lidhje me realitetin. Si Putin, ashtu edhe Trump janë liderë të së shkuarës.”

Por ata ende përcaktojnë të tashmen.

Janë njerëz të shekullit XX, që mendojnë në terma të superfuqive dhe duan të ndajnë botën mes tyre, në një version të karikaturizuar të Konferencës së Jaltës. Ata pretendojnë të vendosin nëse Ukraina duhet të mbajë zgjedhje apo jo. Kush janë ata që të na urdhërojnë kur duhet të votojmë?

A keni frikë se Trump mund të ndalojë ndihmat ushtarake për Ukrainën?

Ndihma e SHBA-së, për të cilën jemi mirënjohës, mbivlerësohet. Nuk e shoh popullin tim në panik. Kur zgjohet në një luftë, siç na ndodhi ne, edhe ndjenja e frikës zhduket. Para pushtimit, ndjenja e frikës ishte më e madhe. Tani, më duket se ju evropianët jeni më të frikësuar se ne. Ne nuk kemi zgjedhje tjetër dhe nuk do të dorëzohemi kurrë. Për ta thënë si Çërçilli: Rusia nuk është e pathyeshme dhe Trump nuk është i gjithëfuqishëm.

Si e sheh Ukraina ndryshimin e politikës amerikane dhe sulmet e Trumpit ndaj Zelenskyt?

Së pari, unë nuk jam një fanse e Zelenskyt dhe nuk e kam votuar. Por falë Trumpit, ne po përjetojmë momentin e unitetit më të madh kombëtar që nga fillimi i pushtimit rus.

Si ndodhi kjo?

Deklaratat e pamatura të presidentit amerikan na bashkuan më shumë. Mjafton të shikoni çfarë po postohet në rrjetet sociale. As Putin dhe as Trump nuk janë në pozicion të na imponojnë se çfarë duhet të bëjmë apo të mos bëjmë. Ne jemi të gjithë të bindur për këtë, qoftë taksistët, intelektualët apo politikanët.

A doni zgjedhje të reja në Ukrainë?

Po, por jo tani. Nuk është çështje për t’u diskutuar tani. Dhe jo vetëm sepse ligji ushtarak i ndalon ato. Ka 6 milionë refugjatë ukrainas jashtë vendit dhe pothuajse po aq të zhvendosur brenda vendit. A është realiste të votosh nën bombat e Putinit? Çfarë legjitimiteti do të kishin zgjedhjet e mbajtura në këto kushte? / La Repubblica

Related posts