Dhjetë persona u lënduan gjatë të shtënave masive në Queens të Nju-Jorkut në ditën e parë të vitit të ri, tha të enjten Departamenti i Policisë.
Në mesin e të lënduarve në incidentin që ndodhi afër një klubi për organizime private të mërkurën vonë ishin gjashtë gra e katër burra dhe të gjithë pritet të shërohen, tha policia, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Incidenti ndodhi, kur tre – katër burra hapën zjarr drejt një turme njerëzish që ndodheshin afër klubit, tha Departamenti i Policisë. Përdoruesit e rrjeteve sociale u shprehën të tmerruar dhe publikuan fotografi të policëve në vendin e ngjarjes.
Policia e përjashtoi mundësinë që rasti të jetë sulm terrorist.
Incidenti ndodhi disa orë pas dy akteve të tjera të dhunës në ShBA ditën e parë të Vitit të Ri. Në New Orleans, një automjet goditi një turmë njerëzish, duke lënë të vdekur 15 persona.
Në Las Vegas, një veturë Tesla shpërtheu afër hotelit “Trump” në Las Vegas, duke lënë të vdekur një person, ndërsa shtatë të tjerë pësuan lëndime.
Autoritetet amerikane po mundohen që të gjejnë persona të dyshuar në lidhje me rastet në New Orleans e Las Vegas si dhe po i hetojnë lidhjet e mundshme me terrorizmin.