970×90
970×90
970×90
970×90

IKSHPK-ja jep këshilla si ta parandalojmë infektimin me linë e majmunit

IKSHPK-ja jep këshilla si ta parandalojmë infektimin me linë e majmunit

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka dhënë disa këshilla për të parandaluar infektimin me linë e majmunit (MPOX) pasi të premten u konfirmua rasti i parë me këtë virus në Kosovë.

Në një postim në Facebook të shtunën, IKSHPK-ja ka thënë se lija e majmunit mund të përhapet më lehtë kur ka kontakt të drejtpërdrejtë mes njerëzve, veçanërisht gjatë marrëdhënieve seksuale.

“Njerëzit me rrezikun më të lartë të infektimit janë burrat që kryejnë marrëdhënie seksuale me burra dhe punonjësit e seksit”, thuhet në njoftim.

Simptomat se jeni prekur me linë e majmunit përfshijnë skuqjen, nyjet limfatike të ënjtura, ethe, dhimbje koke, dhimbje muskulore, dhimbje shpine dhe rektale dhe energji e ulët.

Për t’u mbrojtur nga lija e majmunit, sipas IKSHPK-së, ju duhet të shmangni kontaktin e ngushtë me personat që kanë skuqje, praktikoni seks më të sigurt, mbani duart e pastra dhe vaksinohuni kundër MPOX-it nëse ju ofrohet.

Në rast se vëreni shenja të infektimit me linë e majmunit, IKSHPK-ja udhëzon që të izoloheni, të njoftoni kontaktet e ngushta dhe të kërkoni kujdes mjekësor.

Një 30-vjeçar nga Prishtina u konfirmua si rasti i parë në Kosovë me linë e majmunit dje. Ai u infektua pas kthimit nga një shtet i Afrikës Perëndimore. Është jashtë rrezikut për jetë.

Sëmundja shkaktohet nga virusi i lisë së majmunit (MPXV), i cili është i pranishëm në disa kafshë të egra (brejtësit, qentë e egër, etj) në disa vende të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore.

Related posts