Publicisti Veton Surroi i ka reaguar deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti, lidhur me 5 emra që sipas tij, i kanë kërkuar Bill Klintonit të mos e njoh UÇK-në.
“Ka pasur përpjekje shumë të mbrapshta të institucioneve të Kosovës që kanë shku në Uashington te presidenti Clinton i kanë kërku që të mos e njohin UÇK-në”, tha Haliti.
Më pas, në studio gazetari Dukagjin Gorani pyeti se kush kanë qenë ata.
Emrat e tyre i tregoi gazetari Baton Haxhiu.
“Kanë qenë Ibrahim Rugova, Pajazit Nushi, Bujar Bukushi, Veton Surroi, Fehmi Agani”, ka thënë Haxhiu.
Surroi këtë e ka quajtur të pavërtetë.
“Krejtësisht të pavërteta! Në takim me presidentin Clinton, delegacioni i Kosovës nuk ka kërkuar mosnjohjen e UÇK-së. Këtë nuk e kanë bërë dr.Ibrahim Rugova, as dr.Fehmi Agani, as dr,Bujar Bukoshi e as unë. Dr.Pajazit Nushi, i përmendur si pjesëmarrës ka qenë në Prishtinë”, ka shkruar ai.
“Qëndrimi im edhe privat , edhe publik ka qenë nevoja e përfshirjes së UÇK në proces negociator. Disa herë kam deklaruar publikisht se pa pjesëmarrjen e UÇK-së në ekipin negociator nuk është e mundshme marrëveshja për Kosovën. Dr.Rugova, dr,Agani dhe dr.Bukoshi kanë zhvilluar përpjekje që të unifikohet përfaqësimi i Kosovës, me përfshirjen e UÇK-së brenda këtij përfaqësimi”,ka shkruar publicisti Surroi.
“Akuza ndaj delegacionit të Kosovës nuk qëndron. Sqarimin po e bëj për hir të historisë, e cila duhet të shkruhet nga burimi e jo nga spekulimi i përnatshëm debatues. E bëj edhe për dy anëtarët e vdekur që kanë mundur të japin shpjegime në të gjallë, por një akuzë e këtillë po ngrihet me dhjetëvjetësh pas vdekjes së tyre”, theksoi ai.