Po pse është kaq e rëndësishme të dish se çfarë ka ndodhur më parë? Sepse shumë herë, ajo që ka ndodhur më parë të shpjegon se pse disa gjëra ndodhin sot dhe, në çdo rast, ashtu si me formacionet e futbollistëve, është një mënyrë për të pasuruar kujtesën tonë. Dakord, kjo nuk mund të bëhet vetëm me libra dhe revista, bëhet fare mirë edhe në Internet. I cili duhet përdorur jo vetëm për të bashkëbiseduar me miqtë, por edhe për të biseduar (fjala bie) me historinë e botës. Cilët ishin hititët? Kamisardët? Dhe si quheshin tre anijet e Kolombit? Kur u zhdukën dinosaurët? A mund të ketë patur një timon Arka e Noes? Si quhej paraardhësi i demit? Kishte më shumë tigra 100 vjet më parë, apo sot? Çfarë ishte Perandoria e Malit? Dhe kush ishte personi që fliste për Perandorinë e të Keqes? Cili ka qenë Papa i dytë i historisë? Kur u shfaq Mickey Mouse?
Nuk do të doja që kjo letër e Krishtlindjes të tingëllojë si e shkruar nga Deamici, dhe të të jepte këshilla dashurie për të singjashmit tanë, për vendin, për botën dhe gjëra si këto. As nuk do ia vije veshin dhe, kur të vinte çasti për t’i vënë në zbatim (ti i rritur dhe unë i ikur nga kjo botë), sistemi i vlerave do të ketë ndryshuar kaq shumë, sa që rekomandimet e mia ndoshta do të kenë dalë mode.
Kështu që dua të ndalem në një rekomandim, të cilin do të jesh në gjendje ta vësh në zbatim edhe tani, ndërkohë që lundron me iPad-in tënd. Nuk do të bëj as gabimin të të këshilloj që të mos e përdorësh, jo aq shumë se do të dukesha si një gjysh që ka mbetur me të vjetrën, por sepse e bëj edhe vetë. Më e shumta që mund të të rekomandoj, nëse rastësisht ndesh në qindra faqet pornografike që tregojnë në një mijë mënyra, marrëdhënien mes dy qenieve njerëzore, apo mes një qenieje njerëzore dhe një kafshe, përpiqu që të mos besosh se seksi është ai që sheh aty, veç të tjerave tejet monoton, sepse bëhet fjalë për një aktrim, qëllimi i të cilit është të të mbajë mbyllur në shtëpi, e të mos dalësh të shohësh dhe takosh vajzat e vërteta. Po nisem nga parimi që ti je heteroseksual, përndryshe përshtati rekomandimet e mia me rastin tënd: por shiko vajzat, në shkollë apo atje ku shkon të luash, sepse janë më të mira ato të vërtetat, se sa ato televizivet, dhe një ditë do të të japin kënaqësi më të mëdha, se sa ato online. Besoji kujt ka më shumë përvojë se sa ti (dhe nëse unë do të kisha parë vetëm seks në kompjuter, yt atë nuk do të kishte lindur, dhe ti kushedi ku do të ishe, madje nuk do të ishe fare).
Gjithësesi nuk doja të të flisja për këtë, por për një sëmundje që ka goditur brezin tënd, dhe atë të të rinjve më të mëdhenj se ti, që ndoshta janë në shkollë të lartë: humbja e kujtesës.
Eshtë e vërtetë se, nëse të lind dëshira për të mësuar se kush ishte Karli i Madh apo ku ndodhet Kuala Lumpuri, mjafton të shtypësh një tastë në kompjuter dhe Interneti ta thotë menjëherë. Bëje kur duhet, por pasi ta kesh bërë, përpiqu të kujtosh atë që ke lexuar, që të mos jesh i detyruar ta kërkosh për së dyti, nëse do të të lindë nevoja, mbase për një detyrë shkollore.
Rreziku është që, duke qenë se mendon se kompjuteri yt mund të ta thotë në çdo moment, ti humbet shijen për ta ngulitur në kokë. Do të ishte pak a shumë njësoj sikur, pasi ke mësuar që për të shkuar nga Rruga Filan në rrugën Fistek, ka autobusë apo metro që të mundësojnë të lëvizësh pa u lodhur (gjë që është shumë komode dhe bëje kur e ke me nxitim), ti mendon se kështu nuk ke më nevojë të ecësh. Por nëse nuk ecën mjaftueshëm, ti bëhesh person “me aftësi ndryshe”, siç thuhet sot për të treguar ata që ecin në karrocë me rrota. Dakord, e di që merresh me sport dhe di ta lëvizësh trupin, por le të kthehemi tek truri yt.
Kujtesa është një muskul njësoj si muskujt e këmbëve, po nuk e ushtrove dobësohet dhe ti bëhesh (nga pikëpamja mendore) me aftësi ndryshe, domethënë (le ta themi qartë) një idiot. Dhe veç kësaj, duke qenë se për të gjithë ekziston rreziku që kur të plakemi na vjen Alzheimeri, një prej mënyrave për të shmangur këtë incident të papëlqyeshëm, është të ushtrosh gjithmonë kujtesën.
Dhe vijmë tek dieta ime. Çdo mëngjes mëso ndonjë varg, një poezi të shkurtër, ose siç na bënin ne të mësonim “La Cavallina Storna” apo “Il sabato del villaggio”. Dhe ndoshta bëj garë me miqtë, për të parë se kush e kujton më mirë. Nëse nuk të pëlqen poezia, bëje me formacionet e futbollistëve, por kujdes sepse nuk duhet të dish vetëm cilët janë futbollistët e Romës sot, por edhe ata të skuadrave të tjera, dhe ndoshta të skuadrave të së kaluarës (mendo që unë mbaj mend futbollistët e Torinos, skuadrës avioni i të cilës u rrëzua në Superga me të gjithë futbollistët në bord: Bacigalupo, Ballarin, Maroso etj.) Bëj gara kujtese, ndoshta me librat që ke lexuar (kush ishte në bordin e Hispaniolas në kërkim të ishullit të thesarit? Lord Trelauney, kapiteni Smollet, doktor Livesey, Long John Silver, Jim…) Shiko nëse miqtë e tu mbajnë mend se cilët ishin shërbëtorët e tre moskëtierëve dhe të D’Artagnanit (Grimaud, Bazin, Mousqueton e Planchet)… Dhe nëse nuk do të duash të lexosh “Tre moskëtierët” (dhe ti nuk di se çfarë do të humbasësh), bëje me një prej historive që ke lexuar.
Duket si një lojë (dhe është një lojë), por do të shohësh se si mendja jote do të popullohet me personazhe, histori, kujtime të gjithfarëlloji. Ndoshta ke pyetur veten, përse një herë e një kohë kompjuterat quheshin tru elektronikë: është sepse ata janë projektuar sipas modelit të trurit tënd (dhe tonit), por truri ynë ka më shumë lidhje se sa një kompjuter, është një lloj kompjuteri që ti e mban gjithmonë me vete dhe që rritet dhe fuqizohet duke e ushtruar, ndërkohë që kompjuteri që ti ke mbi tryezë, sa më shumë e përdor aq më shumë humbet shpejtësi, dhe pas disa vitesh duhet ta ndërrosh. Ndërsa truri yt sot mund të zgjasë deri nëntëdhjetë vite dhe në moshën nëntëdhjetë vjeç (nëse e ke ushtruar), do të kujtojë më shumë gjëra se sa kujton ti sot. Eshtë falas.
Pastaj është kujtesa historike, ajo që nuk ka të bëjë me faktet e jetës tënde apo gjërat që ke lexuar, por ka të bëjë me ato që kanë ndodhur, para se të lindje ti.
Sot nëse shkon në kinema, duhet të hysh në një orë të caktuar kur fillon filmi, dhe sapo fillon, dikush të merr – si të thuash – për dore dhe të thotë se çfarë ndodh. Në kohën time mund të hyje në kinema në çdo moment, dua të them edhe në mes të filmit, mbërrihej teksa po ndodhnin disa gjëra dhe ne përpiqeshim të kuptonim se çfarë kishte ndodhur më herët (pastaj kur filmi rifillonte kuptonim nëse kishim hamendësuar si duhej – përveç faktit që, nëse filmi na kish pëlqyer, rrinim të shihnim edhe atë pjesë që e kishim parë tashmë). Ja pra, jeta është si një film i kohëve të mia. Ne vijmë në jetë kur shumë gjëra kanë ndodhur tashmë, prej qindra e mijëra vitesh, dhe është e rëndësishme të kuptosh atë që ka ndodhur para se të lindnim; vlen për të kuptuar përse ndodhin shumë gjëra sot.
Sot shkolla (përveç shënimeve të tua personale) duhet të të mësojë që të memorizosh atë që ka ndodhur para se të lindje, por duket që nuk po e bën mirë, sepse shumë studime na thonë që të rinjtë e sotëm, edhe ata më të rriturit që janë në universitet tashmë, nëse kanë lindur rastësisht në vitin 1990 nuk e dinë (dhe ndoshta nuk duan ta dinë) se çfarë kishte ndodhur në 1980 (dhe nuk po flasim për atë që ka ndodhur pesëdhjetë vjet më parë). Statistikat na thonë se, nëse pyet dikë se kush ishte Aldo Moro, të përgjigjet që ishte kreu i Brigadave të Kuqe – ndërkohë që ai u vra prej Brigadave të Kuqe.
Nuk flasim për Brigadat e Kuqe, ato mbeten ende një mister për shumëkënd, e megjithatë ato ishin e tashmja vetëm 30 vjet më parë. Unë kam lindur në vitin 1932, dhjetë vjet pas ardhjes në pushtet të fashizmit, por dija se kush kish qenë kryeministër edhe në kohën e marshimit drejt Romës (çfarë është ky?). Ndoshta shkolla fashiste ma kishte mësuar për të më treguar se sa budalla dhe i lig ishte ai ministër, që fashistët e kishin zëvendësuar. Dakord, po të paktën e dija. Dhe pastaj, duke lënë mënjanë shkollën, një i ri i kohëve të sotme nuk di kush ishin aktoret e kinemasë të njëzetë viteve më parë, ndërsa unë dija se cila ishte Francesca Bertini, e cila luante në filma pa zë, 20 vite para se të lindja unë. Ndoshta sepse shfletoja revista të vjetra të grumbulluara në depon e shtëpisë sonë, por po të ftoj pikërisht të shfletosh edhe revista të vjetra, sepse është një mënyrë për të mësuar se çfarë ndodhte para se të lindje ti.
Po pse është kaq e rëndësishme të dish se çfarë ka ndodhur më parë? Sepse shumë herë, ajo që ka ndodhur më parë të shpjegon se pse disa gjëra ndodhin sot dhe, në çdo rast, ashtu si me formacionet e futbollistëve, është një mënyrë për të pasuruar kujtesën tonë.
Dakord, kjo nuk mund të bëhet vetëm me libra dhe revista, bëhet fare mirë edhe në Internet. I cili duhet përdorur jo vetëm për të bashkëbiseduar me miqtë, por edhe për të biseduar (fjala bie) me historinë e botës. Cilët ishin hititët? Kamisardët? Dhe si quheshin tre anijet e Kolombit? Kur u zhdukën dinosaurët? A mund të ketë patur një timon Arka e Noes? Si quhej paraardhësi i demit? Kishte më shumë tigra 100 vjet më parë, apo sot? Çfarë ishte Perandoria e Malit? Dhe kush ishte personi që fliste për Perandorinë e të Keqes? Cili ka qenë Papa i dytë i historisë? Kur u shfaq Mickey Mouse?
Mund të vazhdoj në pafundësi, dhe do të ishin të gjitha aventura të bukura kërkimi. Dhe të gjitha për t’u kujtuar. Do të vijë dita kur do të jesh bërë plak dhe do të ndihesh sikur të kesh jetuar një mijë jetë, sepse do të jetë sikur ke qenë i pranishëm në Betejën e Vaterlosë, sikur ke qenë aty kur vritej Jul Çezari, dhe ndoshta vetëm pak metra larg vendit ku Bertoldi i Zi, duke përzierë substancat në përpjekje për të prodhuar flori, zbuloi gabimisht barutin, dhe hodhi veten në erë (e mbase mirë iu bë). Miqtë e tu që nuk do ta kenë kultivuar kujtesën, do të kenë jetuar vetëm një jetë, të tyren, e cila do të ketë qenë e mbushur me melankoli dhe e varfër në emocione të mëdha.
Kultivoje kujtesën pra, dhe nesër lexo përmendësh “La Vispa Tesera” (poezi e Luigi Salierit).