Hyn në fuqi ligji, Shqipëria pa kazino
Ka hyr në fuqi të martën ligji për mbylljen e pikave të basteve sportive dhe kazinove elektronike, në të gjithë Shqipërinë.
Vendimi i qeverisë për të mbyllur më 31 dhjetor 2018, në të gjithë territorin e Shqipërisë, kazinotë elektronike, bastet sportive, sallat e bingove, bastet on line, bastet me gara në pistë, u miratua në fund të muajit tetor, në seancën plenare të Kuvendit me 75 votat pro të mazhorancës, ndërsa opozita nuk mori pjesë në votim.
Kjo vendimmarrje sociale e politike, u konsiderua nga qeveria si vendimi më i rëndësishëm për mbrojtjen e fëmijëve, familjeve dhe ekonominë dhe që godet krimin në një nga vatrat e veta më aktive.
Ndërkohë mbyllja e basteve, nuk ka asnjë ndikim në planifikimin e buxhetit të shtetit.
Nga ana tjetër, qeveria ka parashikuar që të papunët e basteve do trajtohen me kurse rikualifikimi.
Qeveria ka gati një plan konkret për t’u ardhur në ndihmë të gjithë personave që mbeten pa punë pas mbylljes së “lojërave të fatit”, në mënyrë që ata të kualifikohen dhe të gjejnë një mundësi tjetër punësimi.
Ndërkohë që nga 1 janari 2019 nisë funksionimi i skuadrës dixhitale për mbylljen e të gjitha faqeve të basteve online jashtë vendit.
Ligji për mbylljen e basteve sportive në Shqipëri pati jehonë edhe në mediet ndërkombëtare. “Shqipëria miraton ligjin që ndalon bastet sportive, kryesisht ato në internet, shumë të përhapura në vend, me qëllimin për të luftuar kundër krimit të organizuar, shkruajnë mediet prestigjioze si AFP, “Washington Post”, “Reuters” apo “Associated Press”.
Ligji për mbylljen e basteve sportive dhe kazinove, parashikon zhvendosjen e këtyre të fundit vetëm në hotele me 5 yje.