Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj përmes konferencës për media, ka falenderuar të gjithë qytetarët që dolën sot në votime, duke thënë se Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj, kanë dëshmuar se janë një demokraci e re.
Kryetari i PDK-së, kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka thënë se procesi i sotëm zgjedhor, u bë shembull edhe për vendet e rajonit dhe më gjerë.
Tutje, ai ka thënë se populli i Kosovës ka folur dhe vullneti i tyre duket respektuar.
”Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës dua t’ju falënderoj të gjithëve që sot keni dalë për të votuar. Edhe një herë, Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj, përmes një procesi zgjedhor shembullor, kanë dëshmuar se jemi një demokraci e re, por pa dyshim e konsoliduar dhe e fortë. Procesi i sotëm zgjedhor, u tregua shembull edhe për vendet e rajonit dhe më gjerë.Populli i Kosovës ka folur, dhe vullneti i tyre duhet respektuar. Rezultati i sotëm, që vë Lëvizjen Vetëvendosje të parën dhe PDK-në të dytën, për ne është mesazh i qartë.”, ka thënë Hoxhaj.
Tutje, në konferencë, ai e inkurajoi Lëvizjen Vetëvendosjen që të punojë dhe të angazhohet për t’i përmbushur premtimet e tyre para qytetarëve.
”Natyrisht, Partia Demokratike e Kosovës nuk do të jetë pjesë e qeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje. Vlerat dhe orientimet tona politike janë larg njëra-tjetrës dhe ne nuk do të bëjmë kompromis me integritetin e këtyre vlerave që i kemi zhvilluar tradicionalisht, bashkë me qytetarët e Kosovës. Përkundër kësaj, Kosova ka nevojë për stabilitet dhe ne zotohemi që të jemi faktor stabiliteti nga pozicioni i partisë udhëheqëse të opozitës.”, ka thënë kryetari Hoxhaj.
Kandidati për kryeministër, ka thënë gjithashtu se Partia Demokratike e Kosovës do të bëjë maksimumin që të sigurojë funksonimin normal të Parlamentit.
”Partia Demokratike e Kosovës do të bëjë përpjekje maksimale që të sigurojë funksionim normal të parlamentit, në mënyrë që të mundësohet prodhimi i rezultateve konkrete që rrisin mirëqenien e qytetarëve në planin afatgjatë.”, ka shtuat tutje Hoxhaj.
Ai, ka falenderuar të gjithë votuesit e Partisë Demokratike, të gjithë anëtarët dhe mbështetësit.
”Kjo fushatë ka qenë e vështirë, marrë parasysh rrethanat e rënda nëpër të cilat ka kaluar PDK-ja.”, thotë Hoxhaj.
Tutje, ai ka thënë se është krenar me unitetin dhe përkushtimin e pashembullt që kanë treguar përkrahësit e PDK-së, që janë angazhuar për fitoren e partisë dhe rimëkëmbjen e Kosovës.
”Jam krenar me unitetin dhe përkushtimin e pashembullt që keni treguar secili prej jush, që jeni angazhuar për fitoren e PDK-së dhe Rimëkëmbjen e Kosovës, përmes shtyllave të programit tonë. Për gjithë pasionin dhe punën e dëshmuar nuk kam gjë tjetër përveç mirënjohjen më të thellë.”, ka thënë Hoxhaj.
Hoxhaj tha se PDK në këto zgjedhje ishte e fortë, e bashkuar, e rimëkëmbur.
”PDK në këto zgjedhje ishte e fortë, e bashkuar, e rimëkëmbur. PDK është bërë, edhe një herë, faktor stabiliteti për shtetin e Kosovës. PDK shumë shpejt do ta rimëkëmbë Kosovën. Këtë jua premtoj.”, është shprehur në fund kryetari Hoxhaj.
Fjala e plotë e krytarit Enver Hoxhaj:
Të dashur qytetarë,
Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës dua t’ju falënderoj të gjithëve që sot keni dalë për të votuar. Edhe një herë, Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj, përmes një procesi zgjedhor shembullor, kanë dëshmuar se jemi një demokraci e re, por pa dyshim e konsoliduar dhe e fortë.
Procesi i sotëm zgjedhor, u tregua shembull edhe për vendet e rajonit dhe më gjerë.
Populli i Kosovës ka folur, dhe vullneti i tyre duhet respektuar. Rezultati i sotëm, që vë Lëvizjen Vetëvendosje të parën dhe PDK-në të dytën, për ne është mesazh i qartë.
E uroj Lëvizjen Vetëvendosje për rezultatin dhe i inkurajoj që të punojnë me përgjegjësi për realizimin e premtimeve të tyre para qytetarëve.
Natyrisht, Partia Demokratike e Kosovës nuk do të jetë pjesë e qeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje. Vlerat dhe orientimet tona politike janë larg njëra-tjetrës dhe ne nuk do të bëjmë kompromis me integritetin e këtyre vlerave që i kemi zhvilluar tradicionalisht, bashkë me qytetarët e Kosovës. Përkundër kësaj, Kosova ka nevojë për stabilitet dhe ne zotohemi që të jemi faktor stabiliteti nga pozicioni i partisë udhëheqëse të opozitës.
Partia Demokratike e Kosovës do të bëjë përpjekje maksimale që të sigurojë funksionim normal të parlamentit, në mënyrë që të mundësohet prodhimi i rezultateve konkrete që rrisin mirëqenien e qytetarëve në planin afatgjatë.
Dua që nga zemra t’i falënderoj të gjithë votuesit e Partisë Demokratike, të gjithë anëtarët dhe mbështetësit tanë. Kjo fushatë ka qenë e vështirë, marrë parasysh rrethanat e rënda nëpër të cilat ka kaluar PDK-ja.
Jam krenar me unitetin dhe përkushtimin e pashembullt që keni treguar secili prej jush, që jeni angazhuar për fitoren e PDK-së dhe Rimëkëmbjen e Kosovës, përmes shtyllave të programit tonë. Për gjithë pasionin dhe punën e dëshmuar nuk kam gjë tjetër përveç mirënjohjen më të thellë.
PDK në këto zgjedhje ishte e fortë, e bashkuar, e rimëkëmbur. PDK është bërë, edhe një herë, faktor stabiliteti për shtetin e Kosovës. PDK shumë shpejt do ta rimëkëmbë Kosovën. Këtë jua premtoj.
Faleminderit