
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Avdullah Hoti, ka arsyetuar qëndrimet e nënkryetarëve të partisë, të cilët nuk e kanë kundërshtuar udhëheqjen e dialogut nga presidenti Thaçi. Hoti thotë se nuk ka lidhje kush e udhëheq dialogun, po çfarë formati ka ai.
LDK është afër ndërrimit të qëndrimit që kishin para disa muajve ndaj Hashim Thaçit. As Avdullah Hoti nuk ka kundërshtuar udhëheqjen e dialogut nga Thaci. Sipas tij, kjo nuk është cështje e rëndësishme se kush e drejton Kosovën në dialog.
“Nuk është çështje dhënia e mandatit të askujt, atë që kanë thënë zyrtarët e lartë të LDK’së është se nuk do t’iu ikim përgjegjësive shtetërore, siç nuk i kemi ikur as me Demarkacionin, as me tema tjera të mëdha. Para të hënës ne do të diskutojmë gjerësisht dhe do të merret qëndrimi”
“Tema se kush duhet t’i udhëhiqet bisedimet nuk është tema më e rëndësishme, dëshirojmë të dakordohemi për formatin, temat që diskutohen”, tha Hoti.
Edhe këtë javë, Hoti foli për pafuqinë që, sipas tij, ka Qeveria Haradinaj. Shefi i GP të LDK’së ka thënë se kjo pafuqi është dëshmuar kur Haradinaj është shprehur i gatshëm t’ia delegojë udhëheqjen e dialogut LDK’së.
Hoti thotë se do të ishin të gatshëm për ta udhëhequr dialogun, kur t’i marrin mandatin me votat e qytetarëve.
Ai po ashtu ka pasur kritika për platformën e fazës finale të dialogut me Serbinë, që është proceduar në Kuvend. /Express/