
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Avdullah Hoti, u ka bërë thirrje qytetarëve të Prishtinës që të dalin masivisht në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Hoti ka thënë se çdo ditë e më shumë po bindet në fitoren e PDK-së.
Ndër të tjera, Hoti ka thënë se në vizionin e LDK-së dhe projektet konkrete tashmë të siguruara, nga qeverisja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Prishtina do të shndërrohet, jo vetëm një kryeqytet modern, qendër administrative, e arsimit, e kulturës, e rinisë dhe sportit, por edhe një nyje rajonale të zhvillimit ekonomik e teknologjik.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë të Prishtinës,
Sa më shumë që po i afrohemi ditës së dielë, 14 shkurtit, aq më shumë po bindem në fitoren e madhe që do të arrijmë në këto zgjedhje.
Ju keni arsye më shumë se kushdo tjetër ta mbështesni Lidhjen Demokratike të Kosovës më 14 shkurt.
Mos e falni besimin tuaj sikurse në vitin 2014 dhe 2017. Prej tetë vitesh, në vend të qeverisjes, juve qytetarë të nderuar të Prishtinës iu servua propaganda.
Qytetarët e Prishtinës sot kanë shumë më shumë arsye të dalin masovisht në përkrahje të Lidhjes Demokratike.
Në vizionin tonë dhe me projektet konkrete tashmë të siguruara, nga qeverisja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Prishtina do të shndërrohet, jo vetëm një kryeqytet modern, qendër administrative, e arsimit, e kulturës, e rinisë dhe sportit, por edhe një nyje rajonale të zhvillimit ekonomik e teknologjik.
Nëpër Prishtinë do të kalojnë të gjitha autostradat që lidhin Ballkanin. Prishtina do të jetë nyja lidhëse për hekurudhat moderne të rajonit dhe më gjerë.
LDK-ja nuk ka bashkëjetuar dhe nuk do të bashkëjetojë me krimin e korrupsionin.
Prandaj, rivalët tanë e kanë të vështirë të punojnë me ne. Sepse nuk mund ta durojnë vullnetin e LDK-së për të punuar drejt dhe për të qeverisur me duar të pastra.
Ne gjithmonë kemi mbrojtur shtetin dhe interesat e qytetarëve të Kosovës.
Prandaj, më 14 shkurt, siç thoshte Presidenti Rugova, vishuni bukur, merrni të afërmit dhe miqtë tuaj dhe shkoni e votoni për Lidhjen Demokratike të Kosovës, numrin 132.
Më 14 shkurt, ne ua hapim dyert të gjithë qytetarëve, I thërrasim të dalin në zgjedhje dhe të votojnë kandidatët tanë për deputetë në numrin 132.
Sepse kjo është adresa e zgjidhjes së shqetësimeve të tyre.
Dhe u themi se shqetësimi i tyre për gjeneratat e reja mund të zgjidhet vetëm duke votuar LDK-në në këto zgjedhje.