Ish-Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se sot është një ditë e rëndësishme, pasi në bashkëpunim me aletatët të definohen hapat në procesin e dialogut. Transmeton Gazeta Projekti.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se do të bëhen hapa edhe për marrëveshjen përfundimtare, ligjërisht të obligueshme, si dhe për normalizim të marrëdhënieve dhe njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
“Marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën, që ruan karakterin unitar të shtetit të Kosovës, që i adreson të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve një herë e përgjithmonë në mënyrë që dy vendet të rrugëtojnë drejt integrimit evropian”, ka thënë Hoti.
Ai tutje ka thënë se shpreson që Qeveria dhe ekipi negociator kanë përgatitur planin e tyre dhe propozimet për emisarët për dialog që sot janë në Prishtinë.
“KËSHILLË: Mbahuni fuqishëm në parimet që duhet të respektohen në negocimin e marrëveshjes. Mos bëni kompromis në qëllimet e dialogut, por gjeni modalitetet e nevojshme për arritjen e marrëveshjes. Koordinohuni me aleatët tanë!”, ka shkruar Hoti.