Vrasja në lokalin e natës në dalje të Prizrenit “Kobra City”, që ndodhi mëngjesin e sotëm ka aktivizuar Policinë Rajonale në Prizren, duke shoqëruar për në stacion një numër të madh të personave, të cilët po intervistohen për momentin. Në mesin e tyre është edhe pronari i lokalit, Dibran Hoxhaj, i njohur si “Kobra”, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se i njëjti po dyshohet se ka gjuajtur me armë zjarri dhe për pasojë një person ka vdekur rrugës për në spital, ndërsa një tjetër është i plagosur.
Sipas Policisë shqiptare viktima është një 31-vjeçar me inicialet V. C., kurse i plagosur është R. Sh., 27 vjeç, të dy nga Kukësi.
“Si pasojë e plagëve të marra shtetasi V. C., ka ndërruar jetë gjatë rrugës, ndërsa shtetasi R. Sh., ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Në lidhjen me ngjarjen, menjëherë nga DVP Kukës është ngritur grupi hetimor i cili po kryen veprimet procedurale për llogari të Policisë së Kosovës.
Nga deklarimet e para të shtetasit të plagosur dhe shtetasit A. B., që i ka transportuar për në spital, dyshohet se ngjarja ka ndodhur në dalje të Prizrenit, ku pas një konflikti në një lokal nate me disa shtetas kosovar.
Në momentin që shtetasit V.C., R.Sh dhe A.B, po largoheshin me automjet, dyshohet se shtetasi D. H, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre.
Në lidhje me ngjarjen është komunikuar me Policinë kosovare dhe vijon shkëmbimi i informacionit.
Grupi hetimor vijon veprimet procedurale për llogari të Policisë së Kosovës, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.”, njofton Policia e Shtetit.
Ndërsa zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi, tha se Policia është duke u marrë me rastin.
“Kemi pranuar informatën rreth orës 04:10 për gjuajtje me armë zjarri në “Kobra City” në dalje të Prizrenit. Një person ka vdekur dhe një është plagosur. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është duke u marrë me rastin”.
Por, kush është Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”?
Historia e tij nis qysh në vitin 2004 kur kishte marrë pjesë në “trazirat e Marsit”. Nuk ishte dënuar. Më pas, si biznesmen kishte shkelur ligjin mbi 150 herë. Ishte arrestuar e liruar disa herë. Së fundmi qëndroi 20 muaj në burg.
Dibran Hoxhaj që vetën e quan “King Kobra” është i zhgënjyer ani pse po e shijon lirinë pas 20 muajve sa ka qëndruar në një qeli burgu. “Rrogëtarët e oborrit të tij mbretëror” që thotë se i ka konsideruar si “vëllezër” ia kanë kthyer shpinën posa hyri në burg herën e fundit.
“Është shumë e randë”, thotë Dibran Hoxhaj teksa jep një intervistë ku paraqitet si një Mbret i liruar që kërkon ta rimarrë fronin në biznesin e klubeve të striptizit, ku për një dekadë ka menaxhuar një klub që dyshohet të ketë qenë më shumë fole e prostitucionit me vallëtaret që punonin aty.
“Ata më kishin pa mu si një bankomat, jo si një vëlla qysh i kam parë unë”, rrëfehet “Mbreti” që për vite të tëra ishte prezantuar si “roje e sigurisë” së valltares erotike Donjeta Kasumi, e njohur me nofkën Kallashi, e cila prezantohej si pronare e lokalit. Edhe ajo e ka braktisur.
Njashtu sikurse miqësia e rreme, krejt jeta e Dibran Hoxhës që ka më shumë se 150 raste në Policinë e Kosovës është e ndërtuar mbi gënjeshtra. Ende vazhdon ta bëjë të njëjtën gjë. Por gënjeshtrat e tij janë të parëndësishme krahasuar me veprat e tij para të cilave është dorëzuar edhe shteti, duke e shpallur të pafajshëm prej shumë akuzave. Për disa prej tyre që Hoxhaj i tregon si ngjarje normale, si shfrytëzimi i vajzave të reja, shteti as që e ka hetuar.
Historia e Dibran Hoxhës lidhet ngushtë me valltaren Donjeta Kosumi. Talenti i saj në vallëzim erotik ia kishte bërë lokalin tepër të njohur. Përfitimet kur Kosumi u bë edhe pjesë e showbiznesit në Kosovë u rritën shumë. Kallashi prezantohej si pronare, e ai si roje e saj. E problemet nuk ndaleshin.
Por tash gjërat kanë ndryshuar, dhe Kallashi e ka braktisur. Duke dashur të tregohet një humanist dhe ndihmues i atyre që kanë nevojë, Dibran Hoxhaj tregon me gojën e tij diçka që përbën shkelje të rëndë ligjore, përdorimi i fëmijëve, ose shfrytëzimi i tyre për punë. Kingu thotë se Kosumin e kishte “afruar afër vetes” kur ajo i kishte pasur 15 vjeç.
“Unë e kam pas rastin me Donjeta Kosumin, Kallashin, qysh nga mosha 15-vjeçare. Ajo është shoqëru me mu, dhe në të gjitha sukseset e kam përkrah deri këtu ku ka arritë”, thotë Hoxhaj.
“Kallashi ka qenë një histori shumë e gjatë, ka qenë shumë e re, e kam afru afër vetes qysh në moshën 15-vjeçare kam qenë, e kam këshillu e kam mbajtë”, shton King Kobra, duke dhënë në një intervistë në TV Llapi ditët që lam pas, në një emsion që udhëhiqet nga Kreshnik Husaj i njohur me nofkën Kika, ndaj të cilit është ngritur aktakuzë për prostitucion me bashkëshorten e tij.
Përdorimi ose shfrytëzimi i personave deri në moshën 18-vjeçare llogaritet si shkelje ligji, por për “Kingun” kjo është krejt normale. Se Donjeta Kosumi kishte qenë qysh si fëmijë pjesë e veprave penale që e kishin dërguar në Polici e Gjykatë, e tregonte vetë ajo në intervistën e dhënë në vitin 2015.
“Në gjykatë ma e vogël kur jam kanë. Ka kohë kur kam pas 17 vjet. Për makinë, por masi kam qenë me moshë e vogël edhe ma kanë falë”, rrëfehej Kosumi.
Megjithatë për “Kingun…” krejt këto janë “të harruara”. Tash ai është 100 për qind mysliman.
“Me përqindje mund të them se edhe 100 për qind. Për momentin jam me Ramazan, edhe qysh në moshën 14-vjeçare deri këtu nuk e kam prish. Edhe në burg kur kam qenë kam ninu prap. Kobra kur shihet në pamjen e jashtme duket sikur një person tjetër, por në realitet unë në jetën time nuk kam përdor as alkool as cigare. E as makiato nuk kam pirë kurrë”, thotë ai teksa mburret me një jetë luksoze.
Më pas ai paraqitet si një humanist që ka ndihmuar me qindra familje, dhe si një “menaxher i jashtëzakonshëm” si dera e suksesit për këngëtaret kosovare. Pasurinë që e ka thotë se nuk e konsideron të tijën.
“Unë kam lindur me këtë dashuri (humanist v.j) dhe çdo gjë që e kam unë është dhuratë që ma ka dhuru Allahu dhe unë jam vetëm shfrytëzues”, thotë ai.
Por gjithë kjo paraqitje e tij prej një njeriu humanist nuk vlen asgjë kur shikon historinë e tij të mbushur me akuza për vepra penale.
Historia dhe hakmarrja e “Kingut të braktisur”
Historia kriminale e Dibran Hoxhës fillon në vitin 2004. Në mars të atij viti, Kosova u përfshi në trazira të cilët gati sa nuk quan në një luftë. Gjatë ditëve 17, 18 dhe 19 mars ishin vrarë 11 shqiptarë e 8 serbë. Dibran Hoxhaj ishte i përfshirë në ato trazira.
Sipas të dhënave që prokurori në Prizren Sylë Hoxha ia kishte treguar emisionit “Drejtësia në Kosovë” në shtatorin e vitit 2015, ndaj tij kanë qenë mbi 60 kallëzime penale që kanë pasur të bëjnë me “trazirat e marsit të vitit 2004”. Ishte shpallur i pafajshëm. Pos këtyre, Hoxhaj kishte shpëtuar edhe në mbi 11 akte akuzuese.
Atëkohë, në vitin 2015, Dibran Hoxhaj aka King Kobra kishte edhe 4 kallëzime penale në Gjykatë dhe sapo ishte përfshirë në një tjetër sherr me shtetin. I ishin gjetur disa revole gjatë një bastisjeje që i kishte bërë Policia lokalit ku ai thoshte se punon vetëm si roje e sigurisë për atë që deklarohej se është pronare, Donjeta Kosumi aka Kallashi e cila kishte afro 40 raste të hapura në Polici.
Kosumi kishte thënë në vitin 2015 se Kingun Kobra e paguan si punëtor.
“200-300 euro e paguaj”, thoshte Kosumi teksa refuzonte kategorikisht se dikush tjetër qëndronte pas saj.
“Nuk është e vërtëtë, lokali është i jemi, këta janë punëtorët e mij, dhe këta sjanë kriminela”, kishte thënë ajo. Të njëjtin rrëfim e kishte dhënë edhe Dibran Hoxhaj.
Por tri vite më vonë, Hoxhaj thotë se ai ka qenë pronari i “Kobra Cityt” dhe se ai e kishte zbuluar dhe bërë të njohur e të pasur, Donjeta Kosumin si Kallashi. Dibran Hoxhaj paralajmëron rihapjen e “Kobra City”.
“Për një super Kallash besojmë që në të ardhmen do ta sjellim në skenën kosovare”, thotë “Kingu”.
Lokali i tij ishte djegur i tëri në vitin 2016 për ta hapur të riun. Por as ky nuk funksionoi gjatë. Pas një viti, Policia kishte bastisur në maj të vitit 2017 duke arrestuar edhe Donjeta Kosumin dhe Dibran Hoxhajn. Por “Kingu” ka një tjetër rrëfim sesi është arrestuar. Një gënjeshtër tjetër.
Pasi tregoi se ai ka qenë dhe është pronari i lokalit që deri para dy vitesh thoshte se punon vetëm si “roje sigurimi”, Kingu ka edhe një tjetër rrëfim të rremë mbi arrestimin e tij. Thotë se u arrestua në Aeroport. Diku në Slloveni.
“Është një histori e çuditshme. Familja jeme jeton në Slloveni, unë jetoj vetëm këtu. Vëllëzërit e mij janë arrestu në Slloveni dhe më ka marrë në telefon baba jem më tha që a ka mundësi me ardhë nesër mem ndihmu. Kur unë nesër e nxjerri biletën dhe nisem për Slloveni në Aeroport më arrestojnë. Nuk kam dit as gjuhë as këso sene. Plot 20 muaj kështu më kanë malteretu. Dhe në fund u shpalla që nuk jam fajtor”, rrëfen Dibran Hoxhaj.
Por tash ai ka vendosur që të kalojë në stadin tjetër duke u prezantuar si një humanist, mysliman i devotshëm e menaxher vallëtaresh. Megjithatë braktisja që i kanë bërë atij “vëllezërit” dhe të tjerët ia kanë ngjallur ndjenjen e hakmarrjes që ai thotë se e ka në gjak por që kundërshtohet nga vetë ai në fjalinë e dytë.
“Shumë jam hakmarrës nuk fali, por edhe di me falë shumë”, thotë King Kobra.
SHËNIM: Personi i apostrofuar në këtë artikull, prezymohet i pafajshëm deri në një vendim të Gjykatës