Ministri i Financave Punës dhe Transfereve është deklaruar sot lidhur me pagat e shtatorit për grevistët.
Murati ka thënë për KosovaPress se sa i përket pagve për grevistët do të zbatojnë ligjin përkatës.
“Do ta zbatojmë ligjin sa i përket pagave për grevistët”, ka thënë shkurt Murati.
Kujtojmë se kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se nëse nuk ekzekutohen pagat deri sot, mund të kthehen sërish në grevë.
Ai gjithashtu ka theksuar se nuk ka më kushtëzime.
“Nuk ka më kushtëzime, ministrja Arbërie Nagavci dhe Qeveria e Kosovës duhet të procedojnë pagat për grevistët në arsim”, ka thënë Jasharaj.
“Megjithatë, duke qenë të bindur se punëtorët e arsimit do të respektojnë vendimin e ri për kalendarin e Vitit Shkollor dhe do të kryejnë punën, dhe duke marrë parasysh faktin se shumë prej tyre janë vënë në lajthitje ose kanë pasur paqartësi rreth dispozitave ligjore, i kemi propozuar Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që të shqyrtojnë mundësinë e pagesës në avans, ashtu që familjet e mësimdhënësve, të mos mbesin pa paga deri në fund të muajit, kur edhe dalin pagat për muajin tetor”, ka shkruar Nagavci.
Që nga 25 gushti deri më 1 tetor, punëtorët e arsimit dhe sektorëve tjerë publikë ishin në grevë në kërkim të 100 eurove shtesë në muaj deri në hyrjen në fuqi të ligjit për paga.
Qeveria ua ofroi nga 50 në muaj sivjet, në kuadër të pakos për përballje të inflacionit. Grevistët pezulluan veprimin sindikal, pa marrëveshje me Qeverinë, deri në janar.