Hekuran Murati, nga Lëvizja Vetëvendosje ndërsa flet për mosarritjen ende të marrëveshjes me LDK-në thotë se partia e tij nuk po insiston në ministri e poste për të rehatuar emra të përveçëm, por që të arrihet krijimi i një qeverie funksionale.
Ai thotë se nuk duhet që dëshira e sinqertë për formim sa më të shpejtë të qeverisë të nxitojë drejt një marrëveshjeje të keqe, shkruan Reporteri.net.
Postimi i tij:
Ne nuk insistojmë në ministri e poste për të rehatuar emra të përveçëm.
Por për shkak të funksionit që ato poste bartin, e që janë kruciale drejt përmbushjes së obligimeve që kemi marrë karshi votuesve.
Se nuk e kemi për poste e pushtet, besoj u vërtetua me emrat e kabinetit Kurti.
Synimi ynë është që të krijojmë një qeveri e cila është funksionale dhe nxjerr vendin nga humnera.
Çdo ngutje dhe lëshim pe në këtë aspekt, e zhbën edhe vetë qëllimin e fitores së 6 tetorit.
E kuptoj se shumë prej jush e prisni me padurim krijimin e qeverisë së re. Të gjithë po e presim.
Por nuk duhet që dëshira e sinqertë për formim sa më të shpejtë të qeverisë të na nxitojë drejt një marrëveshjeje të keqe.