
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovë (KGjK), Skender Çoçaj, ka pritur në një takim pune ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Gjatë këtij takimi, Çoçaj ia ka uruar detyrën e re ministres Haxhiu si dhe e ka njoftuar atë lidhur me aktivitetet e KGjK-së, arritjet e deritashme, objektivat dhe sfidat me të cilat po përballet sistemi gjyqësor në vendin tonë.
“Ne jemi duke i ndërmarrë të gjitha hapat për arritjen e qëllimeve tona kryesore që garantojnë një sistem gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm, rritjen e efikasitetit, përmirësimin e performancës dhe imazhit të sistemit gjyqësor, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies si dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka thënë Çoçaj.
Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shprehur përkushtim për ofrimin e mbështetjes për realizimin e kërkesave buxhetore që i kanë institucionet e drejtësisë.
Me këtë rast, ajo ka theksuar se është e hapur dhe e gatshme në ofrimin e përkrahjes për institucionet e drejtësisë në mënyrë që të kthehet besimi i qytetarëve në drejtësi.
“Jam e gatshme që bashkërisht me institucionet e drejtësisë t’i qëndroj besnike misionit tim si Ministre e Drejtësisë, pra ta kthejmë besimin e qytetarëve tanë në drejtësi dhe ta përmbushim misionin e përbashkët, luftimin e së keqes”, ka thënë Haxhiu.
Çoçaj dhe Haxhiu kanë diskutuar rreth adresimit të çështjeve të ndryshme si: zgjidhja e lëndëve civile, parashkrimi i lëndëve, buxheti 2020 dhe aprovimi i tij, nevoja për staf në gjykata, Ligji i konfiskimit të pasurisë, rritja e pagave për stafin administrativ në gjyqësor, pjesëmarrja e gjyqtarëve dhe prokurorëve në grupe punuese dhe trajnime, si dhe çështje të tjera të cilat cilësohen si sfida aktuale në sistemin e drejtësisë.