Kanë vazhduar akuzat e kundër-akuzat në mes të Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri të LDK’së Isa Mustafa rreth Asociacionit të Komunave Serbe.
Fillimisht Vetëvendosja përmes një komunikate për media akuzoi kryeministrin Hoti për “ringjalljen” e kësaj teme.
Ndërsa reagoi menjëherë lideri i LDK-së, Isa Mustafa, i cili tha se Gjykata Kushtetuese ka vërtetuar se kjo marrëveshje nuk cenon kushtetutshmërinë e vendit.
E Mustafës i reagoi ish-ministrja e Drejtësisë, nga VV-ja Albulena Haxhiu.
Ajo përmes një statusi në Facebook tha se aktgjykimi i GJK-së praktikisht hedh poshtë idenë e një “Zajednice” çfarë kanë nënshkruar Thaçi në prill 2013 dhe Mustafa në vitin 2015.
Ky është statusi i saj i plotë:
‘Zajednica’ është edhe synim edhe kërkesë e Serbisë, të cilën kjo klasë politike ja ka mundësuar si synim dhe normalizuar si kërkesë, herë nëpërmjet të ashtuquajturve “normalizim i marrëdhënieve” e herë si “normalizim ekonomik”.
Aktgjykimi i GJK-së praktikisht hedh poshtë idenë e një “Zajednice” çfarë kanë nënshkruar Thaçi në prill 2013 dhe Mustafa në vitin 2015. Parimisht e prakitikisht mund të thuhet se nuk mund të ketë edhe Republikë edhe Zajednicë. Isa Mustafa që paska reaguar me shumë vrer duke tentuar ta justifikojë vetën se ai i përket ‘Zajednicës’ së 2015-ës ka harruar se edhe atë të 2013-ës e ka mbështetur. Sikurse në shumë pika Mustafa e Thaçi janë vetëm dallim kohor.
Në anën tjetër, Lëvizja VETËVENDOSJE! i ka kundërshtuar e i kundërshton ashpër të dyja. Ne nuk jemi për Zajdenicën e Thaçit sikurse nuk jemi as për atë të Mustafës, sepse ato janë të dyja “Zajednicë” e Serbisë, për të cilën ju kemi paralajmëruar me kohë dhe kundërshtuar fuqishëm. E dimë tash që jeni në sikletin e përpjekjes së tretë, por jeni pa legjitimitet, pa ligjshmëri. Ju mund t’i zotoheni Vuçiqit, po ato zotime vlejnë vetëm për ju.
Sovraniteti dhe unitariteti i Kosovës nuk mund të ndryshohen. Kosova është Republikë..