
Ish-presidenti Hashim Thaçi sot erdhi në Kosovë për një vizitë te babai i tij i sëmurë.
Thaçi hyri më herët në Klinikën Interne dhe ende po vazhdon qëndrimin aty, ndërsa jashtë klinikës prezentë janë forcat policore.
Në një përgjigje për Gazetën Express, zëdhënësi i Dhomave të Specializuara në Hagë, Michael Doyle, tha se vizita u mundësua për arsye humanitare.
“Për arsye të forta humanitare, Trupi Gjykues dhe gjyqtari i procedurës paraprake kanë udhëzuar Sekretarin që të organizojë një vizitë në kujdestari në Kosovë për Hashim Thaçin që të jetë me babanë e tij. I akuzuari mbetet në paraburgim dhe në kujdestari nga Dhomat e Specializuara”.
Para se të hynte në QKUK, Thaçi u duartrokit nga disa qytetarë të pranishëm, ndërsa ai i përshëndeti me dorë.
Thaçi kishte bërë kërkesë më 31 janar 2025 nga gjyqtarët që ta lirojnë për vizitë humanitare në Kosovë.
Sipas vendimit të 31 janarit 2025, mbrojtja e Thaçit kishte paraqitur se gjendja shëndetësore e babait të klientit të tij përben rrethana urgjente dhe të jashtëzakonshme që justifikojnë lirimin e Thaçit për arsye humanitare. Në të dy rastet, kërkesa e tij ishte refuzuar.
Thaçit i ishte refuzuar edhe kërkesa tjetër nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masslot në rastin kundër administrimit të drejtësisë.