
Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk ia ka ndryshuar mendjen as komisionari evropian për zgjerim, Johanes Hahn për heqjen e taksës ndaj Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.
Ai në një konferencë për medie ka thënë se taksa ndaj Serbisë do të mbetet në fuqi derisa Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. “Taksa nuk hiqet derisa Kosova të njihet nga Serbia”, ka thënë Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj, ka thënë se Kosova nuk ka probleme me Bashkimin Evropian (BE), por me Serbinë. “Ne nuk i kemi venë taksë asnjë shteti të Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Haradinaj, raporton “Epoka e re”.
I pyetur nga mediet se a do të hiqte dorë nga taksa kundër Serbisë në këmbim të heqjes se vizave, ai ka thënë se tani janë në etapa të tjera.
Më tutje, ai ka thënë se i ka kërkuar Hahnit përgjigje se kur mund të merret vendimi për vizat, por se nuk ka marrë një përgjigje definitive.