Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar të premten banorët e Shqipërisë, të strehuar përkohësisht në Parkun Inovativ Trajnues Kosovaro- Gjerman, në Prizren.
Gjatë kësaj vizite, kryeministri në detyrë Haradinaj zhvilloi një takim me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, kryetarin e Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, menaxhmentin e Parkut Inovativ, Drejtuesit e Policisë së rajonit të Prizrenit, drejtuesin e shoqatës Nënë Tereza Zef Shala, përfaqësuesit e shoqatës së Gastronomëve të Prishtinës dhe vullnetarët e angazhuar në Parkun Inovativ Trajnues Kosovaro – Gjerman në Prizren.
Kryeministri në detyrë Haradinaj është njoftuar me të gjitha ecuritë në Parkun Inovativ Trajnues, angazhimet institucionale dhe të donatorëve e vullnetarëve dhe me gjendjen shëndetësore të të strehuarve.
Me këtë rast, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se Kosova është angazhuar me të gjitha mekanizmat e saja për t’u dalë në ndihmë banorëve të Shqipërisë dhe se tani po punohet, në koordinim me autoritetet shqiptare në rikthimin e tyre në Shqipëri.
Parku Inovativ Trajnues Kosovaro – Gjerman, që pas tërmetit me pasoja tragjike që goditi Shqipërinë, u bë strehë e qindra bashkëkombësve tanë. Fillimisht në park ishin akomoduar dhe strehuar mbi 500 persona.
Pas regjistrimit dhe evidentimit të këtyre personave, tashmë kanë nisur edhe procedurat e kthimit në baza vullnetare.
Aktualisht në park po qëndrojnë rreth 300 persona, derisa kthimi i tyre i organizuar dhe menaxhuar në mënyrë institucionale po vazhdon çdo ditë.
Kryeministri në detyrë Haradinaj, theksoi që Kosova pas veprimeve të para që ka ndërmarrë për ta ndihmuar Shqipërinë dhe pas strehimit të përkohshëm të banorëve të saj në Kosovë, do të vazhdojë angazhimin e nevojshëm për rikthimin e tyre dhe gjithashtu pas procesit të rikthimit, do të jetë në gjendje gatishmërie, për t’u dalë në ndihmë, në rast nevoje institucioneve të Shqipërisë, në tejkalimin e kësaj situate.