
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se është mjaft shqetësues raporti i Departamentit Amerikan sa i përket gjetjeve në raport për mediat dhe fjalën e lirë, e ku këtu ka kritikuar Qeverinë Kurti
“Inkurajuese vlerësimet e Departamentit Amerikan të Shtetit për disa fusha përfshirë edhe tranzicionin e FSK-së. Njëkohësisht shqetësuese, vërejtjet serioze për cenimin e fjalës së lirë dhe mediave, mosndëshkimin e korrupsionit e të tjera. Qeveria t’i adresojë me urgjencë këto gjetje”, shkroi Haradinaj.
Në raportin për të drejtat e njeriut në botë në vitin 2021, Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka evidentuar kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe medias, duke përfshirë dhunën ose kërcënimet për dhunë gazetarëve.
Raporti i publikuar dje thekson se gazetarët në Kosovë u kërcënuan për publikimin e artikujve që kritikonin punën e Qeverisë, partive politike apo zyrtarëve të veçantë.
Raporti po ashtu thekson se ka pasur raportime në disa raste që pronarët e mediave kërcënuan se do t’i pushonin nga puna gazetarët nëse ata prodhojnë artikuj ku kritikohet puna e Qeverisë. Gazetarët u ankuan gjithashtu se pronarët e mediave i penguan ata të raportonin për korrupsionin në nivelet e larta të Qeverisë, thekson tutje raporti.